Shfaqja "Maskuar" vjen premierë në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Vepra teatrore shkruar nga autori izraelit Ilan Hatsor përthyer nga Eda Derhemi vjen në skenë nga regjisori Milto Kutali. Rolet në vepër regjisori ia ka besuar aktorëve Arben Derhemi, Alfred Trebicka dhe Ismail Shino. Një familje e copëtuar nga mashtrimi, tradhtia dhe lufta në shfaqjen “Maskuar”. Vepra është me skenografi nga Ilir Martini dhe muzikë nga Mark Luli. Nga të gjitha plagët e shkaktuara nga lufta moderne guerile, ajo që lë ndoshta plagët më të thella emocionale, është ajo e familjeve të shkatërruara nga besnikëritë konfliktuale , duke zëvendësuar dashurinë familjare dhe besimin me dyshimin dhe mosbesimin. “Maskuar”, një shfaqje e fuqishme nga Ilan Hatsor sjell në qendër të saj tre vëllezër palestinezë. Janë të mbërthyer në një luftë për jetë a vdekje për shkak të mashtrimit dhe tradhtisë. Ngjarja është e vendosur në një fshat Palestinez, në bregun perëndimor në vitin 1990, por historia e saj mund të ketë ndodhur në të njëjtën mënyrë në një numër qytetesh gjatë 20 viteve të fundit, nga Belfasti deri ne Johanesburg, në Sarajevë apo edhe në Bagdadin e sotëm kudo ku një forcë ushtarake ka vënë vëllanë kundër vëllait. Regjisori Milto Kutali tregon se këtë vepër e ka lexuar vite më parë dhe tani u bë e mundur realizimi për në skenën e teatrit. ““Maskuar” ka kahje të përafërta në histori me Ballkanin dhe Shqipërinë. Që kur unë nisa ta lexoj këtë vepër para tre vitesh, m’u kujtua një afërsi me veprën “Familja e peshkatarit” të Sulejman Pitarkës. Ne kemi marrëdhënie që shkojnë deri në ekstrem në jetët tona dhe shoqërinë tonë. Kemi dhe sot familje të ndara. Vepra teatrore është mjaft aktuale dhe për shoqërinë e sotme”, pohon regjisori Mito Kutali. Vepra premierë në datat 31 Tetor 1-2-3-4 nëntor ora 19:00 do të jetë për publikun në sallën Moliere të Teatrit Eksperimental.