Në Panairin e Librit, hapur dje në Pallatin e Kongreseve, mes stendave të botuesve është edhe shtëpia botuese “55”, me titujt e saj, botuar gjatë vitit 2018 e më herët. Një nga titujt më të shitur e të kërkuar është “Profeti Muhamet” i shkrimtarit të shquar hebre Lev Nussimbaum, i njohur me presudionimet letrare Essad Bey. Ky libër ka ngjallur debate si nga intelektualët, ashtu edhe nga besimtarët muslimanë, të cilët e kanë mirëpritur dhe lexuar si një prurje interesante enciklopedike dhe e nevojshme për lexuesin.
Për Profetin Muhamet janë shkruar me dhjetra e qindra shkrime, libra e predikime të ndryshme fetare në mbarë botën. Historia e tij, sikurse ndodh në librat e shumë fetarë, është e glorifikuar, e lartësuar, dhe e mbushur me legjenda e mite nga më të ndryshmet. Megjithatë, shkrimtari dhe gazetari hebre, i konvertuar në fenë islame, Lev Nussimbaum, ndërmori misionin e vështirë për të rishkruar historinë e porfetit, biografinë e tij reale, sa më të vërtetë, më njerëzore, një mision që dukej i vështirë, por jo i pamundur.
Libri i tij për Profetin Muhamet pati shumë jehonë dhe u prit shumë mirë nga lexuesi perëndimor. Gazeta prestigjioze “Herald Trubine” shkruan për librin: “...Padyshim që “Profeti Muhamet” nga Essad Bey, është biografia më mbresëlënëse dhe më imponuese e shkruar deri më sot, nga një prej shkimtarëve dhe personaliteteve më kompleks për kohën, që fatkeqësisht jetoi pak”.