“Emili” filmi me regji dhe skenar të Ajola Dajës ka përfunduar xhirimet. Historia e një dhune në familje, ky xhirim kinematografik bëri bashkë në një histori aktoret e njohura Luiza Xhuvani dhe Arta Dobroshi. Në role të tjera interpretojnë Lulzim Zeqja, Margent Caushi, dhe Noel Miraka. Por aktorja nga Kosova Arta Dobroshi ishte në rolin kryesor atë të Emilisë.
Ajo mbart historinë e një gruaje të dhunuar e cila kërkon të gjejë një mënyrë për tu larguar nga shtëpia bashkë me djalin e saj 6 vjeçar. Në këtë vendim për të ikur ajo ndihmohet nga vjehrra e saj e cila interpretohet nga Luiza Xhuvai. Për të ndërtuar subjektin e këtij filmi regjisorja Daja është frymëzuar nga një histori reale.
“Filmi “Emili” ka nisur para një viti e gjysmë, një marrëdhënie dhune në familje, e cila shihet nga sytë e dy grave të shtëpisë. Nisi nga një ngacmim, nga një histori dhune reale, të cilat nuk është e vështirë ti gjesh në realitetin tonë”, tregon regjisorja Daja. Filmi është një projekt i financuar nga Qendra Kombëtare Kinematografike. Drejtor fotografie është Erald Deda. Filmi i realizoi xhirimet në Tiranë.