Drama polake triumfon në “European Film Awards”

Hënë, 17 December 2018 15:21

Drama polake, e realizuar në bardhezi nga regjisori Pawel Pawlikowski, është kthyer në shtëpi me pesë trofe, nga ceremonia që ndan çmimet evropiane të filmit. Filmi “Cold War” ka dalë fituesi më i madh i mbrëmjes kur u ndanë çmimet e edicionit të 31-të të “European Film Awards”.

Në mesin e pesë çmimeve që ka marrë ky film, në ceremoninë e së shtunës mbrëma, është edhe çmimi për filmin më të mirë, aktoren, regjinë e skenarin më të mirë si dhe një çmim që shpërblen aspektin teknik të realizimit të filmit, që iu nda montazherit.

Regjisori polak, Pawel Pawlikowski, ia dedikoi çmimin e parë të mbrëmjes prindërve të tij, rrëfimi i të cilëve e kishte inspiruar ta realizonte dramën romantike bardhezi. Ylli i filmit “Cold War”, Joanna Kulig, e mori çmimin për aktoren më të mirë.

Pas këtij suksesi, janë rritur pritjet që “Cold War” t’i ndjekë hapat e filmit të mëparshëm të Pawlikowsit, “Ida”, që kishte marrë pesë çmime nga “EFA” më 2014 dhe kishte mbërritur deri tek triumfi në “Oscars”, ku mori çmimin për filmin më të mirë në gjuhë të huaj, dy muaj pasi triumfoi në ceremoninë evropiane të filmit.

“Cold War”, që do të nisë të shfaqet në kinematë amerikane nga 21 dhjetori, është përfaqësuesi i Polonisë në të njëjtën kategori për “Oscars” sivjet. Të gjithë filmat e nominuar për filmin më të mirë nga “European Film Awards” – përfshirë “Dogman” të Matteo Garrone, “Happy as Lazzaro” të Alice Rohrwacher, “Girl” i Lukas Dhont dhe “Border” i Ali Abbasi – e kishin pasur premierën në festivalin e Cannes, dhe të gjithë, përveç “Happy as Lazzaro”, ishin nominuar për t’i përfaqësuar shtetet e tyre në “Oscars” në kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj. “Dogman” e mposhti dramën e Rohrwacher për ta përfaqësuar Italinë në ceremoninë e Academy Awards.

Shumë filma të tjerë që u konsideruan favoritë për ceremoninë gala të së shtunës u kthyen në shtëpi duarthatë. Aktori italian, Marcello Fonte, mori çmimin e aktorit më të mirë evropian për rolin e tij në dramën “Dogman” të Matteo Garrone, një performancë që gjithashtu ia solli atij çmimin e aktorit më të mirë në Cannes sivjet.

Çmimi evropian për risi – “Prix FIPRESCI” – iu nda filmit “Girl”, regjisori i të cilit, Lukas Dhont ia dedikoi çmimin yllit Victor Polster dhe vajzave të reja, në rrëfimet e së cilave bazohet filmi. Sa i përket Polster, i cili u kritikua nga komuniteti transgjinor për shkak që ai nuk është i tillë, sikur as Dhont, regjisori ka thënë se gjithmonë e kishte ditur se ai do të realizonte si duhet performancën dhe se me këtë rol ai ka shfaqur “fuqinë më të madhe të çdo artisti sa i përket empatisë”.

Dhont më herët kishte adresuar kritika sa i përket barazisë gjinore të filmit.

“Mendoj që është një nuancë shumë e rëndësishme që duhet bërë. Po, kemi nevojë për rrëfim të grave që tregohen nga gratë…dhe po, kemi nevojë për rrëfime transgjinore që tregohen nga komuniteti transgjinor. Por unë e shoh kinemanë si urë, nuk e shoh si mur. Mendoj që nëse e kufizojmë veten të flasim vetëm për pjesë të identitetit tonë, do të shkonim në drejtim të gabuar”.

Çmimi për animacionin më të mirë iu nda “Another Day of Life”, një rrëfim për udhëtimet e një gazetari gjatë luftës civile në Angolë. Rrëfimi për homoseksualë i Luca Guadagninos, “Call Me By Your Name” mori çmimin “People’s Choice Award”, që votohet nga adhuruesit e kinemasë evropiane.

Sikurse edhe në vitet e mëparshme, politika ishte në qendër të vëmendjes në ceremoninë e vitit 2018 të “European Film Awards”, me disa prezantues e fitues çmimesh që bënë thirrje për unitet evropian dhe disa shaka të papërshtatshme u thanë për largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian.

“E dua Evropën, e dua Evropën”, ka thënë Armando Iannucci, duke ngritur trofeun e çmimit të komedisë më të mirë evropiane për satirën politike “The Death of Stalin”.

Zëvendësdrejtori i “European Deputy Chariman”, Mike Downey, ka folur për rezistencën ndaj shtypjes qeveritare duke theksuar raste si ajo e filmbërësit ukrainas, Oleg Sentsov dhe regjisorit rus Kirill Serebrennikov. Filmi i këtij të fundit, “The Summer”, mori çmimin për dizajnin më të mirë të produksionit, derisa regjisori ishte në arrest shtëpiak për disa akuza që mbeten të diskutueshme. “Ne jemi me Oleg Sentsov”, ka thënë Downey.

Çmimi për arritje në botën kinematografike sivjet iu nda Ralph Fiennes, ndërsa ai për arritje jetësore shkoi për Carmen Maura. Edicioni i 31-të i “European Film Awards”, zuri vend në “Teatro de la Maestranza” në Sevilla të Spanjës. Fituesit e këtyre çmimeve përzgjidhen nga më shumë se 3 mijë e 500 anëtarë të Akademisë Evropiane të Filmit, që përfshin profesionistë filmi nga e gjithë Evropa/ Hollywood Reporter.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...