Mulliri i vajit i manastirit të Ardenicës është dëshmi e një karakteristike thelbësore për vendasit dhe ekonominë e hershme myzeqare shekuj më parë, ku kultura e ullirit kultivohej masivisht.
Ky mulli ka shërbyer për bërjen e vajit të ullirit nga murgjit e manastirit të Ardenicës për nevojat e tyre. Përreth manastirit kishte shumë rrënjë ullinj, shumë nga të cilët janë edhe sot. Mulliri i vajit të ullirit të manastirit të Ardenicës është një vepër e e mirëfilltë e ”inxhinierisë popullore” dhe ruhet në gjendje shumë të mirë mulliri i vajit një vepër. Deri në mesin e shekullit të kaluar ai ishte në gjendje pune dhe përpunonte sasi të konsiderueshme vaji ulliri. Vaji i ullirit këtu në manastir bëhej me 2 procese, në fillim ullinjtë hidheshin tek vendi që është rrota e gurit dhe shtypen duke e rrotulluar atë. Procesi i dytë është tek presa manuale që duket në fund: 2 pllaka të trasha dhe të gjata druri, në mes të të cilave është një stivë pitesh mbi njera-tjetrën.
Këto pite janë të thurura me një si spango të trashë, ku vendosen ullinjtë e shtypur, të thyer, dhe shtrëngohen me dy vida të gjata të durit. Sipër u hidhet ujë i nxehtë. Pitet lejojnë vetëm vajin dhe ujin të kalojë. Pllaka e poshtme është e punuar në mënyrë të tillë që vajin dhe ujin e hedh tek ajo vaska e gurit dhe mblidhet vaji. Mendohet se ky mulli është afërsisht i vitit 1725. Por nuk dihet nëse ky është i pari i manastirit apo jo.