Vjeshta në Google/Cikël poetik nga Petrit Nika

Diel, 03 February 2019 14:34

Nga Petrit Nika

 

Mesnatë tetori

Hënë tetori, mesnatës rrëshqasin mjegullat

prapa pemëve të bardha, si fantazma eunukësh

që s’duan të bien në sy.

Nën presionin e heshtjes,

dëgjohet vetëm zhurma e brendshme e kokës,

me tinguj të mbytur ritmik, si gurë

që rrokullisen në thellësi të humnerës.

Në shtretër flenë persekutorët e ditës -

tani ndjen se si ajri i lagësht i natës vjeshtore

të shkërben me kumtin e lirisë …

Në shtretër flenë të gjithë vrasësit e djeshëm,

ndërsa viktimat e tyre,

dritën e fundit kanë marrë me vete në Had

për t’ua kthyer xhelatëve nesër.

Asgjë s’e prish qetësinë e kësaj nate,

veç kërcitjeve të lehta të dyerve të kujtesës.

Në gjumë janë hajdutët, mendjemëdhenjtë,

thashethemexhinjtë, snobët, poetët ...

Flenë të gjithë dhe duken më qiellorë

se asnjëherë tjetër, por këtë gjë ata nuk e dinë …

Në shkretëtirë flenë akrepat,

në oqean flenë radhë oktapodët,

flenë kobrat në selvë.

Natë tetori në gjithë botën,

çdo gjë e ndjen se është diku,

gjithësesi ecën apo fle.

Vetëm mjegulla rrëshqet gjithë druajtje,

thua se mos prish qetësinë …

 

Tetor 2016

 

 

E hënë në livestream

E hënë në livestream tv-të japin kronikën

Jan Kukuzeli dërgon kartolinë urimi Niketë Dardanit

David Selenicasi u kthye nga studimet jashtë vendit

erdhi pa lajmëruar njeri

nga një vend i panjohur me penel në dorë

në darkë i ftuar për intervistë Gjon Buzuku

fitues i Panairit Kombëtar të Librit Tirana 2016

ca bejtexhinj asketë janë parë mbrëmë

në një pijetore në Berat tek pinin verë me ca murgj

në Voskopojë çoç po ndodh - janë përçarë njerëzia

ca janë për bashkim me helenët,

ca thonë jemi përjetë me Arbërinë

befas figura lëviz nga lart poshtë

livestream zbret në fund të ekranit të rrafshët

lajmet e tjera vijnë me alfabet osmanxha

diçka nuk shkon,

duhet parë këndi i vektorëve të saçit satelitor

mbrëmë gjithë natën frynte erë e çmendur

Vjeshta në Google

Kozmos social, armatosur me luminal

heshta gjethesh shpojnë vjeshtën - ajo i thyen

qentë sulen mbrapa makinave si zombie

ti në bar - kafe Makiato e shkurtër

kthen filxhanin dhe parashtron fatin

tek parashikimi në basorelivin arkaik gjysëm të lëngët

plasaritur si aorta ku ka ndodhur infarkt kardiak

me tension 6000 volt (obobo fatura e CEZ!)

E ke një armik, të marrtë të keqen,

ke dhe një rrugë - një haber të mirë - marshallah

ky gjarpri këtu sjell fat

Ruhu nga syri - të tjerave varu teneqen

një hajmali do ta jap për nishan

Hap iPad dhe kërko në google - 

magji - në shiritin e ndritshëm

udhëheqësin e pagabueshëm

në autostradën efemere kibernetike -

gjahtari i shtrigave është hajmalia

Kaq për sot

Rrofsh për 1000 lekëshen

Dhe kozmosi social tkurret sakaq në cyberspace fati

Google është si Zot, cyberspace është qielli

Gjethet e vjeshtës kthehen të gjitha në google pa drurët

të cilët presin dimrin e vetmisë së madhe në harresë\

 

 

 

Ingredientë për tavë dheu*

Kos Lufra nga Lushnja,

shto pak djath danez,

pak patate nga Shishtaveci,

një dorë miell rus,

pak mish viçi nga Maqedonia -

mëlqitë dhe plëndësin i lini për paqe -

(çmimi i paqes llogaritet me kokën

më së shumti) -

mos harroni gjithashtu

dhe ca thërrime rigon nga Dukati,

pak piper të zi

dhe erëza nga India,

spec,

kripë,

gjizë,

kujdes nga ndonjë mizë ...

Tava e dheut është gati.

Vini furrën në prizë!

_________

*Kjo recetë vlen vetëm për dy ditët e para të takimit me bankomatin!

  Kjo recetë vlen gjithashtu dhe në të bërit art për masat.

 

 

 

Qesh si në homonim

 

Qesh majmuni dhe qan dhe qesh -

qesh e qan, qan e qeshet prapë.

Varur si pikëpyetje mbi një pemë të thatë.

Qesh patoku, kalon një hije dhe irritohet -

ngre zërin e tij prej maskilisti jashtë mode,

mes tufës së ngathët të patave.

Sulmon patoku pishën e anuar,

si Kulla e Pizës,

mbi ujë të ndenjur mineral,

midis vetmisë së kulluar si Gjigandi i Rodit.

Qesh qeni me vete,

duke kujtuar historinë e tij gjysëm urbane,

me dhinë dhe shoferin.

Kurrë s’ka për ta marrë qeni

hakun e tij,

megjithatë rri e qeshet,

ndërsa dhia tallet me qenin,

por sapo shikon një makinë në rrugë,

ia mbath si era drejt e në rrëfenjë.

Kalojnë vitet,

kthehesh në botën e flurtë -

koleksionon legjendat e fundit,

që kanë mbijetuar ende,

midis gropave plot hi të kujtesës tënde

të shkrumbuar si gjineshtër.

Post scriptum:

Këtu kalojnë plot njerëz -

të gjithë të mbështjellë me korraca prej hekuri,

punuar me merak të madh

në fabrikat e mëdha të Perëndimit kapitalist,

por asnjeri nuk qesh më.

 

Tetor 2016

 

 

Eklogë ekologjike

 

Jashtëqitje kunadhesh,

kanë mbushur qytetin ngado;

poshtë shtyllave me limfë elektrike,

rrëzë pemëve me klorofil inkandeshent,

në trotuar, në lulishte, mbi stola -

në stacionin e autobusit,

rrinë në radhë jashtëqitjet

dhe udhëtarë të turbulluar

presin të kthehen në shtëpi.

Jashtëqitje kunadhesh,

mbështjellë me letër alumini,

në supermarkete shesin

deri pas mesnate vonë,

me çmime që luhaten

më parë se luhatja e bursës.

Jashtëqitje qelbësi

shesin në rrugë ca tregtarë ambulantë -

siç thonë,

vetëm sa për bukën e gojës.

Mall pa doganë,

pa faturë fiskale,

me barkod antihuman,

si njoftimet e gazetave

për vend pune vakant.

Fryn flladi i mëngjesit,

jashtëqitje kunadhesh ledhaton

kalimtarët e shastisur,

protagonistët e ditës së re,

të armatosur deri në dhëmbë me durim,

pasi kanë vrarë ditën ngjitur,

dhe atë pak përtej,

dhe atë tjetrën,

të gjitha gjithësej -

gjithë jetën.

 

 

 

 

Shën Pikëllima 

(Fejton analitik)

Vitet nëntëdhjetë

s’është e lehtë të sillen ndër mend

divorci apokaliptik

moskokëqarja

bunkerizimi postmodern i qenies

me inerte të rreshkura folklorike

qytetari i ri psiko-social, i cili

me paracetamol dhe pak djathë

shtynte bukën e shtypur të drekës

duke nëpërdhembur pasazhe nga Cikli i Kreshnikëve

tek shatërvani në buzë

apo tek ushtari përjetë i panjohur

ndërsa bota vinte rreth e çark nesh

teksa rrekej të zvogëlohej sadopak 

për të hyrë klandestine në vendin e shiponjave

mu në mes të eposit tonë heroik.

S’gjente derman operacioni Pelikan

mbi pelikanë suleshin ngado dhelpra fluturake

kafshonin, zhgërryenin

shkërmoqnin llokma

duke zhdukur gjurmët e krimit

kurse njerëzia vejevinin nëpër stacione

të largëta e të panjohura

duke sjellë bimë shprese

të cilat thaheshin sakaq

nën serën tonë pa fotosintezë

dhe të gjithë çmeriteshin me veten e tyre

sa afër peskemi qenë me lirinë

dhe kurrë s’e kemi ditur

ndoshta një orë me gomone

mbase edhe tre çerek ore

duke matur milje pas milje gjelbërimin

hapësirën përplot me lule rekujemi

nga kepi i Shpresës së Vdekur

deri në bregun e Kepit të Shpresës së Mirë

 

 

Vitet nëntëdhjetë

punëtorët e ndërmarrjes tipografike Mihal Duri

para se të linin amanet përvojën e tyre

tek kamerierët - tipografët dixhitalë të facebokut

tani shtypnin në letër tip

shtypin tipik pluralist

të një pluralizmi tipik

ndërsa rrugëve të Shën Pikëllimës

frynte era e mardhur e lirisë me kusht

dhe Tirana kryesisht mbarështohej

me hormone të huazuara

të cilat prodhonin një spermë sterile

më pas filloi klonimi intelektual

orvatje e zgjuar por pa pikë suksesi

kinse masa e duhur parandaluese

ndaj asfiksisë totale sociale.

Në trotuaret e vjetra

në rrugët magnetike tek ish Blloku

zuri të projektohej Europa e të shtunave

shërbim non stop njëzet e katër orësh

në shtatë ditët e javës

modeli i gjeneratës së re

ironike ndaj dijeve dhe idealeve historike

specia specifike e bardëve ekzotikë të turbofolkut

analistët pluridimensionalë të makiatos

industrialistët e rinj të urës së Lanës

politikanët e rinj gjithë etikë

ende sa pa veshur uniformën e laureatit të Harwardit

gazetarët e poetët e panumërt gaztorë

të cilët vetëm pak vite më vonë

do të uleshin këmbëkryq

midis odës së madhe të letërsisë shqipe

duke i lënë në këmbë, tek dera

të gjithë ata që do mëtonin të hynin paskëtaj.

Dhe ne që kaluam asokohe

përmes kataklizmës së madhe

tani në mesmoshë vuajmë gati të gjithë

nga stomaku i dendur keqas dikur

me çokollata Hilal

nga dhimbja e syve

nga anoreksia sociale pothuaj akute

pacientë pa shërim të rrasur shtrembër si pyka

në spitale endacakësh

pjella pa atdhe, fis dhe origjinë

të presuar nga lavdia e brezave paraardhës

dhe nga pasardhësit tanë koketë e arrogantë

të ngelur pa limfë

si pemë me rrënjë gjysëm të kalbura

në moçalishten e zymtë sociale

që kundërmon sparogë në ajrin e shekullit

të njëzet e njëtë.

3 tetor 2016

 

 

Epilog për lirinë

 

Në luftë me vetveten i humba të gjitha.

Eci në rrugë pa peshë, pa vështrim.

Veriu shtyn gjethet mbi trotuar me bajonetë.

Kurrë nuk kam qenë në Siri,

por kam parë foshnje siriane nën gërmadha,

dhe diellin krejt të fikur tek ndrinte më pak se një qiri.

Sa pak flasim për lirinë,

ndërsa llomotisim papushim

për tualetin, vaskën, breçkat e komshies në tel,

për vithet e ringritura,

gjoksin e rënë që duhet ringritur gjithësesi...!

Liria tashmë është butafori feministe

në barkun ëmbëlak të televizorit,

mehlem i çuditshëm për të frymëzuar paqësisht

njerëzit në rrugën e lavdishme drejt parasë.

Në hapësirën tonë me koordinata të milimetruara,

nuk ka më vend për të gjitha ndeshtrashat e botës,

as për gjysmën, madje as për fare.

Hedonizëm të qofshim falë!

Dhe ti, o miku im trimuf,

rrofsh që kalove sot këndej pari,

edhe pse nesër - natyrisht,

do kuturisesh në rrugë të tjera!

Në rrugët e Alepos fëmijët kërkojnë fëmijërinë,

por në Alepo s’ka mbetur fëmijëri

dhe fëmijët tashmë janë plakur përgjithmonë,

nga i pari e deri tek i fundit.

Dhe unë po plakem në luftë me vetveten,

vetëm për vetëm unë, vetvetja dhe migrena,

të cilën e mëkoj me nikotinën çudibërëse

dhe shoh pastaj sesi ajo çmeritet brenda meje,

duke shkumëzuar, duke kërcëllitur dhëmbët,

derisa rivdes për t’u ringjalluar,

edhe më tepër ataviste,

për të shtatat ose të katërmbëdhjetat.

Nuk ka më revolucione,

bota po jeton në një paqe që s’ka të ngjarë;

mbillen e korren drithërat,

më së shumti kanabis, (dëshmojnë gojët e liga),

fryjnë kudo në planet erërat e lirisë,

mbarsur me frymëmarrje moçalike

aligatorësh e hijenash.

Në Alepo përplasen kauzat verbuese të lirisë

dhe verbohen foshnjet e sapo lindura -

veriu shtyn gjethet e zverdhura,

me bajonetë,

mbi trotuar.

Qytete të përhumbura agojnë,

nën vesën acide të qiellit tonë hibrid,

duke u ndryshkur ngadalë, pa u vënë re.

Pyjet e dikurshme,

tani janë tkurrur në shifra kibernetike,

dhe lulëzojnë ende,

falë energjisë që i dhanë kibernetikës pak më parë,

dhe mbase do të kundërmojnë deodorant të fortë,

derisa të mësohemi të mbjellim kudo drurë kibernetikë,

madje edhe në kopshtin tonë përplot me rrënjë

bimësh kibernetike gjithashtu.

Është vjeshtë. Ende ka gjethe të thara

dhe veriu tringëllon bajonetat,

ndërsa një jehonë korale nga Jan Kukuzeli

të kujton luftën e madhe të qenies -

domosdo edhe humbjet,

që na e kanë veleritur tashmë sensin e lirisë.

Veriu shtyn gjethet e zverdhura,

me bajonetë,

mbi trotuar.

Vjeshtë 2016

 

Modifikuar më Diel, 03 February 2019 18:38
Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...