Filmi i ri i regjisorit Syllas Tzoumerkas prezantohet në Berlin. Laert Vasili do të udhëtojë drejt Berlinit për të qenë i pranishëm në premierën e filmit “Mrekullia e detit Sargasso”, nën regjinë e më datat 8-10 shkurt në Berlinale. Në këtë prodhim kinematografik ku janë përfshirë emra të njohur të kinemasë greke, Vasili ka rolin e një shqiptari i cili mban mbi supe akuzën e një vrasjeje.
“Nuk ka qenë një rol i lehtë, pasi është një personazh i paragjykuar nga shoqëria e komuniteti, por që në fund arrin të nxjerrë në pah vlerat e tij të vërteta”, thotë Vasili për shqiponline. Sipas tij, e gjithë historia e perzonazhit që ai luan, Grigorit, bazohet në një histori të vërtetë. “Regjisori dhe skenaristi i filmt Syllas Tzoumerkas e ka ndërtuar këtë personazh duke pasur në mëndje mikun dhe shokun e tij të fëmijërisë, që ishte një shqiptar.
Ata kanë qenë bashkë që në shkollën fillore e deri në adoleshencë dhe ky mik, është figura që e ka frymëzuar për këtë rol. Dihet që në Greqi ka një paragjykim ndaj shqiptarëve. Nëse ndodh një ngjarje në komunitet dyshimi i parë bie mbi shqiptarët. E tillë është dhe jeta e Grigorit. Por në fund ai arrin ti mposhtë paragjykimet e të tregojë se nuk është ai autori i vrasjes dhe përdhunuesi”, thotë Vasili.
Në role të tjera në këtë film intepretojnë Angeliki Papoulia , Christos Passalis, Youla Boudali etj. Filmi tregon historinë e dy grave nga një qytet i vogël i Greqisë, të cilat jetojnë të vetmuara dhe ëndërrojnë që një ditë të ikin. Elisabetha është një ish police, dikur ambicioze e detyruar dhjetë vjet më parë ta lërë Athinën, ndërsa Rita motra e saj e qetë. Por një vdekje e papritur do të trazojë qytetin bashkë me jetën e dy grave.
Sekretet e fshehura nëpër moçale fillojnë të shfaqen. Kjo histori përfshin dhe shumë ngjarje nga jeta reale e një qyteti, ku njerëzit zhvendosen për të jetuar të veçuar nga metropolet e mëdha. Roli i Grigorit është një rol i rëndësishëm në këtë histori. Nuk është hera e parë që Vasili interpreton për kinemanë greke.