Ikona e këngës së lehtë shqiptare Vaçe Zela, sot bën 5 vite që është ndarë nga jeta, në moshën 74 vjeçare. jo iku nga jeta pasi vuajti nga një sëmundje e gjatë, ndërsa jetonte në Bazel të Zvicrës.Vaçja, me dëshirën e saj, që nga dimri i vitit 2014, pushon në atdhe, ku u varros me nderime të larta shtetërore, duke u nisur nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në Tiranë për të përfunduar në varrezat e Sharrës.
Por para kësaj, arkivoli me trupin e pajetë të këngëtares u ndal në Aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë, ku bën homazhe qytetarë të shumtë të Kosovës, artistë e zyrtarë shtetërorë.Këngëtarja me prejardhje nga Lushnja ishte gruaja e parë që u nderua me titullin “Nderi i Kombit”.Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re. Në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës në RTSH. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962.
Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave. Repertori i saj zë vend të rëndësishëm në antologjinë e muzikës shqipe.Vepra e saj artistike është vlerësuar edhe në skenën ndërkombëtare. Sipas Institutit Biografik Amerikan ajo është ndër 500 njerëzit më me ndikim. Në “SHBA” Zela u nderua me çmimin “Disku i Artë” kurse Kembrixhi i Anglisë e shpalli “Gruan e Vitit ’97-98”.