Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka dekoruar këngëtarin Sabri Fejzullahu me Medaljen Presidenciale të Meritave.
Përmes llogarisë së tij në Facebook, presidenti Thaçi ka dhënë lajmin për dekorimin e këngëtarit Fejzullahu dhe motivacionin që e kanë shtyrë në nderimin e një prej yjeve më të njohura të estradës kosovare për dekada me radhë.
“Me Medaljen Presidenciale të Meritave, sot e dekorova një prej këngëtarëve më të pëlqyer të publikun tonë për më shumë se gjysmëshekulli. Gati tërë jetën e tij Sabriu na ka argëtuar me këngën dhe humorin e tij. Na ka treguar bukuritë e jetës, por edhe na ka bërë të mendojmë për detyrat dhe obligimet për shoqërinë tonë”, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook presidenti Thaçi.
Këngëtari Sabri Fejzullahu është një prej këngëtarëve më të vlerësuar të estradës kosovare dhe mjaft i kërkuar edhe në diasporë. Ai ka bërë karrierë të suksesshme edhe si aktor.
Sabri Fejzullahu, për një mandat ishte edhe deputet nga radhët e PDK-së në Kuvendin e Kosovës.