Shtatë kore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Italia u bënë bashkë në festivalin ndërkombëtar të muzikës korale “A Cappella”, në Gjakovë të Kosovës.
Shqipëria u përfaqësua nga Shkodra, me korin “Rozafa Ekspresion”, drejtuar nga profesor Zef Çoba të cilët interpretuan disa nga këngët më të bukura shqiptare, por edhe kryevepra botërore
Por mikpritja që ju bë Shkodrës detyroi që kori të dalë jashtë repertorit e të sjellë të tjera pjesë si hymnin: Porsi fleta e ejllit të Zotit e Fishtës, raporton “OraNews”.
Drejtuesit e festivalit vlerësuan arritjet e këtij viti, duke u shprehur se ky bashkim i jep më shumë vlera këtij organizimi.
Rauf Dhomi, organizator, tha se ky organizim është menduar për t’i afruar të gjitha trevat së bashku.
Zef Çoba, dirigjent, tha se “muzika luan një rol shumë të madh për vëllazërimin e popujve”.
“Kolosët e muzikës kanë kompozuar kryevepra që interpretohen në gjithë anët e botës”, tha Çoba.
Befasues ishte interpretimi i grupit arbëresh që solli pjesë nga përkujtimi i 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.
Në fund për pjesëmarrësit u ndanë edhe vlerësimet, duke i lënë takim në edicionin e radhës pas një viti.