“Festival Musica Europa” që po mbahet në Sofje të Bullgarisë, nën organizimin e Filharmonisë së Sofjes, në mbrëmjen e së hënës ka prezantuar dy artiste kosovare, të cilat, nëpërmjet performancës së tyre, në këtë festival kanë prezantuar vepra të kompozitorëve shqiptarë
Në këtë festival që mbështetet nga Ministria e Kulturës së Bullgarisë, ku në të njëjtën kohë po shënohet edhe 90 vjetori i Filharmonisë së Sofjes, sopranoja Adelina Paloja dhe pianistja Lule Elezi kanë shkëlqyer me paraqitjen e perlave shqiptare, të cilat edhe janë pritur jashtëzakonisht mirë nga audienca e atjeshme.
Veprat e : Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Rexho Mulliqi, Avni Mula, Rauf Dhomi, Baki Jashari e Kreshnik Aliçkaj kanë jehuar në Bullgaria Chamber Hall, ku edhe është mbajtë koncerti, koncert që është përcjellë nga një numër i madh i të pranishmëve.
Në këtë festival, Adelina Paloja dhe Lule Elezi ishin të vetmet shqiptare që janë prezantuar në një mbrëmje të veçantë, të cilat edhe i kanë promovuar veprat e kompozitorëve shqiptarë.
Dy artistet shqiptare shumë shpesh po marrin pjesë me paraqitje të përbashkëta, si brenda ashtu edhe jashtë vendit./KultPlus.com