Mario Vargas Llosa. Përktheu Orjela Apolloni.
Letërsia e mirë ndërton ura mes njerëzve të ndryshëm, dhe duke na dhënë kënaqësi, duke na bërë të vuajmë, apo duke na befasuar, na bashkon nën gjuhët, besimet, zakonet, traditat dhe paragjykimet që na ndajnë. Kur balena e madhe e fundos kapitenin Ahab në det, zemra e lexuesve ngushtohet njëjtë si në Tokio, Lima apo Tombuctú. Kur Ema Bovari gëlltit arsenik, Ana Karenina hidhet para trenit dhe Zhylien Soreli ngjitet tek vendi i gijotinës, dhe kur në “El sur”, mjeku urban Huan Dalman del nga taverna për t’u përballur me një bandit me thikë, apo kur kuptojmë se të gjithë banorët e Komalas, fshati i Pedro Paramos, kanë vdekur, drithërima është e ngjashme si te lexuesi që adhuron Budën, Konfucin, Krishtin, Allahun, apo edhe tek agnostiku, tek ai që vesh xhaketë dhe kravatë, tunikë, kimono, ose kilota.
Letërsia krijon një lloj vëllazërie mes diversitetit njerëzor dhe zhduk kufijtë që mes burrave dhe grave ngrihen nga injoranca, ideologjitë, religjionet, gjuhët dhe marrëzia.