Çfarë u dogj dhe çfarë shpëtoi nga Notre Dame?

E Enjte, 18 Prill 2019 15:25

Nga Parisi MENTOR HOXHA

Para tre ditësh, një nga vlerat dhe pasuritë më të mëdha botërore historike, kulturore dhe fetare me një bukuri magjepsëse arkitekturore, katedralja e famshme “Notre Dame de Paris” u përfshi nga një zjarr masiv.  Zjarri shpërtheu brenda godinës gotike mbi 850 vjeçare rreth orës 18:30 të 15 prillit 2019 duke shkaktuar, trishtim, lot dhe dhimbje pafund te francezët dhe në mbarë globin. Zjarri ishte aq i madh sa zëdhënësi i katedrales, Andre Finot tha se “po digjet gjithçka dhe nuk do mbetet asgjë në strukturën prej druri”. U krijua kështu bindja te kombi francez se simboli i tyre më i famshëm, që nuk u zhduk nga shekujt, kryqëzatat, nga luftërat e gjata dhe përgjatë dy luftërave shkatërrimtare botërore do të shkërmoqej brenda pak orësh në kohë paqeje.  

bbb.jpg

I shokuar nga kjo tragjedi, Presidenti francez, Emmanuel Macron menjëherë shpalli emergjencën kombëtare. Për shpëtimin e saj u bënë përpjekje të jashtëzakonshme nga  Departamenti i Zjarrit në Paris. Mbi 400 zjarrfikës luftuan me zjarrin përgjatë gjithë natës për të mbrojtur katedralen dhe thesaret e çmuara brenda saj. Nga puna e tyre kolosale, pas gati 9 orësh zjarri u vu nën kontroll duke shpëtuarkështu një nga simbolet më të famshme botërore, ndonëse një pjesë e lavdishme e saj u shkatërrua.

TRISHTIM, ZI, LOTË DHE LUTJE NË FRANCË DHE NË BOTË

 Ky zjarr në simbolin historik qindravjeçar francez e botëror u prit me dhimbje, trishtim dhe lotë nga francezët dhe në mbarë botën. Mijëra parizianë, burra, gra dhe fëmijë, të moshuar e të rinj u grumbulluan të trishtuar para ndërtesës duke parë me dhimbje shkatërrimin e ikonës së tyre. Dy brigjet e lumit Sena u pushtuan nga besimtarë dhe jo besimtarë, të cilët të trishtuar, me lotë në sy dhe me lutje "Ave Maria" luteshin për të shmangur fatin tragjik të simbolit të tyre. I shokuar nga kjo tragjedi, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron  u shpreh në Twitter: “-Jam i pikëlluar të shoh sonte se si një pjesë e jona po digjet. Një pjesë e jona u shkatërrua! Kryebashkiaku i Parisit Anne Hidalgo  tha se “Notre Dame është “pjesë e trashëgimisë sonë të përbashkët”.

image010.jpg

Të gjithë liderët dhe popujt në mbarë globin u solidarizuan me kombin francez dhe shprehën dhimbjen e tyre. “Është e tmerrshme të shikosh zjarrin masiv në katedralen “Notre Dame" në Paris”, -shkroi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.  Edhe Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel  shprehu dhimbjen e saj për “Notre Dame".  “Këto imazhe të tmerrshme të Notre Dame në zjarr të trishtojnë. Notre Dame është një simbol i Francës dhe kulturës tonë europiane. Ne jemi në mendime me miqtë francezë”, -shkruan në “Twitter”zëdhënësi i kancelares Angela Merkel, Steffen Seibert. Gjermania i jep mbështetjen e saj Francës pas zjarrit të madh që po shkatërron katedralen e Notre Dame në Paris, simbol i Francës. Nga ana tjetër edhe Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, -tha se “ky zjarr ka prekur gjithashtu zemrat e gjermanëve”.

image008.jpg

Me nota dramatike dhe dhimbje të madhe u trajtua edhe në kryeartikujt e media-s franceze e botërore. “Drama jonë”, është refreni i përbashkët i media-s franceze. Ja disa kryeartikuj nga mediat franceze ; “Libération” (Notre Drame, drama jonë), “Le Figaro”, “Le Monde” (Notre-Dame, notre histoire, Zonja jonë, historia jonë), Le Telegramme  (L’impensable, E pamendueshme), La Voix du Nord (La desolation, Shkretimi), Sud Ouest (Le drame de Notre-Dame, Drama e Notre- Dame), Le Figaro (Le desastre, Fatkeqësia), L’est Republicain (Notre-Dame le feut et la peine, Zonja jonë po vdes), L’est Republicain (Notre Histoire en cendres, Historia e Zonjës sonë në hi), apo Notre-Dame de Paris une catastrophe, un choc national, Zonja jonë nga Parisi një Katastrofë, një tronditje nacionale.

Edhe aktorja e famshme e Hollivudit, Selma Hayek, bashkëshorti i të cilës dhuroi 100 milion euro për rindërtimin e plotë të Notre Dame, publikoi një imazh të djegies së katedrales me fjalët: “Ashtu si shumë të tjerë, është tmerr dhe trishtim që unë shikoj bukurinë e Notre-Dame të ngjitet në tym ... Paris, të dua!

Nuk munguan as reagimet në rrjetet sociale, të cilët  postuan foto të kurrizos të Katedrales, Kuazimodos duke vajtuar për Notre Dame. Ai përqafon duke qarë “shtëpinë e tij”. Kuazimodo është heroi tragjik në romancën historike të Victor Hugo “Notre-Dame de Paris”.

image012.jpg

Ç’FARË U DOGJ DHE SHPËTOI NGA THESARET E NOTRE-DAME DE PARIS

Katedralja Notre Dame nuk është vetëm objekti fetar dhe historik më i vizituar në Francë, por edhe vendi i shumë thesareve për historinë franceze dhe botërore. Brenda saj ruhen vepra të rralla artistike, kulturore dhe historike, si statuja, relikte fetare, piktura, skulptura, afreske të papërsëritshme dhe një fragment i kryqit të vërtetë ku u kryqëzua Jezusi. Nga veprat e rralla të artit në këtë katedrale veçohet një organo gjigante me 8000 gypa, statuja e “Shën Mërisë me fëmijë”, kambanat dhe statuja e Shën Denisit etj.

Zjarri masiv që shpërtheu brenda saj, nëse nuk do të shuhej do të zhdukte, jo vetëm godinën e mrekullueshme arkitekturore mbi 850 vjeçare dhe një pjesë të historisë dhe të kulturës së Francës, por edhe këto thesare të papërsëritshme. Nisur nga rëndësia historike, fetare dhe kulturore për Francën dhe për botën, zjarrfikësit francezë formuan një zinxhir njerëzor duke shpëtuar të gjitha thesaret nga kryevepra 850 vjeçare gotike. Shpëtuan koleksionin e artit dhe relikeve të marra nga perandoria bizantine në 1238-tën e të dërguara në Paris nga Luigji i IX, shpëtuan strukturën kryesore të gurit të katedrales, përfshirë dy kullat e saj, shpëtuan rreth 16 statuja bakri, si dhe shpëtuan Kryqi dhe altari i famshëm që ngriheshin sfidues mbi relievet e mermertë të nxira nga tymi e mbi copat e drunjta të shkrumbuara brenda. Kurora e gjembave, tunika e Saint Louis dhe disa objekte të tjera të rëndësishme u morën dhe u dërguan në një vend të sigurt. Sipas zyrtarëve francezë, veprat e dëmtuara do të restaurohen në Muzeun e Luvrit, kurse veprat e tjera do të ruhen në Bashkinë e Parisit.

Ndonëse godina dhe shumë thesare shpëtuan, dëmet e shkatuara nga zjarri janë të mëdha në strukturën gotike. Nënsekretari i brendshëm francez, Laurent Nunez, tha se “katedralja ka pësuar dëme të rënda nga zjarri masiv. Është shkatërruar dy e treta e tavanit dhe ka rënë kupola e katedrales. Është djegur një nga kullat qendrore e saj,  kulla drejtkëndore, është shembur gryka e kishës, çatia dhe maja simbol e qytetit. E para që u shemb ishte kulmi qendror i katedrales që në brendësi kishte 16 statuja prej bronzi.

image014.jpg

KUSH E SHKAKTOI ZJARRIN

Shkaku i shpërthimit të zjarrit në “Notre Dame” mbetet ende i paqartë, por zyrtarët e lidhin me punimet e rinovimit në ndërtesë. Prokuroria e Parisit ka nisur hetimet, por ende nuk dihen saktësisht shkaqet e rënies së zjarrit. Policia thotë se “gjithçka nisi gjatë punimeve për restaurimin e kambanores së katedrales”, ndërkohë po heton nëse zjarri është shkaktuar nga aksidenti. Edhe zyrtarët në Paris janë shprehur se zjarri mund të jetë shkaktuar nga restaurimi që po bëhet në kulmin e kishës. Presidentja e Rajonit Il-de france, ku shtrihet dhe Parisi, Valérie Pécresse, -tha se “zjarri ishte aksidental dhe nuk ishte i qëllimshëm”.

Edhe zjarrfikësit thonë se ky zjarr lidhet me rinovimin e ndërtesës, projekt që kushtoi 6.8 milionë dollarë. Prokurori i Parisit, Remy Heitz tha para gazetarëve të martën se “asgjë nuk sugjeron se ishte një akt vullnetar. Ne mbështesim teorinë e një aksidenti, ndërkohë që një ekip prej 50 personash janë angazhuar në një hetim për të zbuluar sesi filloi zjarri”.  Zyra e prokurorëve të Parisit tha se policia do të kryejë një hetim për “shkatërrimin e pavullnetshëm të shkaktuar nga zjarri”, duke treguar se autoritetet aktualisht po e trajtojnë flakën si një aksident tragjik dhe jo zjarrvënie apo terrorizëm. Policia ka marrë në pyetje punëtorët e ndërtimit të cilët kishin kryer rinovime të gjera, por sipas prokurorit të Parisit, Remy Heitz “ky do të jetë një hetim i gjatë dhe kompleks”.

 image016.jpg

200 VITE PËR TU NDËRTUAR, PAK ORË PËR TU SHKATËRRUAR

Katedralja  e Notre Dame që u desh 200 vjet për t'u ndërtuar, brenda pak orësh humbi një pjesë të lavdisë së saj.  Atë që se bënë shekujt, kryqëzatat, luftrat e gjata në Francë dhe dy luftërat shkatërrimtare botërore e bëri brenda pak orësh ky zjarr masiv në kohë paqeje. Dëmtimin e parë serioz, katedralja e pati gjatë Revolucionit Francez (1871) kur statujat e shenjtorëve u dhunuan nga njerëzit që protestonin kundër kishës. Këto statuja u grabitën nga disa persona që njiheshin si anti të krishterë, por, megjithatë katedralja shpëtoi. Në historinë e saj mbi 850 vjeçare ajo është rinovuar disa herë. Në mesin e viteve 1800  iu nënshtrua një rinovimi të gjatë dhe u kthye në formë. Restaurimi më i plotë u bë në vitin 1845 nga Eugene Viollet-le-Duc, punimet zgjatën 20 vjet dhe katedrales iu rikthyen ngjyrat e dikurshme. Projekti i fundit i rinovimit të ndërtesës kushtoi 6.8 milionë dollarë, por gjatë  këtij rikonstrukturimi shpërtheu edhe ky zjarr masiv që shkaktoi dëme të mëdha.

image018.jpg

NOTRE DAME, SIMBOLI MBI 850 VJEÇAR I FRANCËS DHE I BOTËS

Katedralja Notre Dame- Notre Dame de Paris ose siç thirret nga francezët  “Zonja Jonë e Parisit” është një nga katedralet katolike më të famshme në botë. Aktualisht është objekti historik dhe fetar më i më i vizituar në Paris dhe në Europë. Tërheq rreth 13-14 milionë vizitorë në vit, duke ia kaluar edhe simbolit national francez, Kullës Eiffel.

Katedralja iu dedikua Virgjëreshës Mari, të quajtur si “Notre Dame”. Për mbi 850 vite me radhë vazhdon të mbetet simboli më i rëndësishëm i Parisit dhe i historisë franceze e botërore. Ndonëse është një godinë fetare, për Francën dhe francezët, më shumë se një objekt kulti, ajo identifikon historinë dhe trashëgiminë kulturore për 850 vjet me radhë. Kjo godinë lidhet me shumë eposode të historisë së Francës. Në kohë të lashta të gjitha ngjarjet franceze politike e fetare festoheshin këtu. Është dëshmitare në disa nga ngjarjet më madhore të historisë franceze dhe botërore: Ajo priti ardhjen e kurorës së shenjtë ose kurorës së Krishtit (1239), kurorëzimin e Napoleon Bonapartit (1804), pagëzimin e dukës së Bordosë (1821), funeralet e presidentëve francezë Adolphe Thiers dhe Sadi Carnot dhe shumë ngjarje të tjera historike. Në këtë katedrale u martua Henri VI, si dhe u gatua dhe mori emrin një nga kryeveprat e letërsisë botërore, romani klasik  “Notre-Dame de Paris” (1831) i shkruar nga gjeniu francez, Viktor Hygo. Hygo e vendos subjektin e romanit të tij në Parisin mesjetar dhe pikërisht tek kjo katedrale mesjetare. Ky roman i bërë edhe film është mjaft i vlerësuar dhe i popullarizuar në botë. Romani mbështetet në raportin midis historisë dhe trillit. Personazhet kryesorë të romanit janë Esmeralda, Kuazimodo dhe Frolo. Nxitur nga suksesi i romanit, në shekullin e XIX u ndërtua Kambanorja mes një përpjekjeje të gjerë restaurimi.   

image021.jpg

image022.jpg

Notre-Dame ka një histori mbi 850 vjeçare. Iu dedikua Virgjëreshës Mari të quajtur si “Notre Dame”. Punimet për ndërtimin e Katedrales së Shën Marisë filluan me nismën e ipeshkvit të Parisit, Moris de Syli (Maurice de Sully). Gurin e parë e bekoi dhe e vuri në themel më 1163, Papa Aleksandri III. Përfundoi pas afro 200 vitesh dhe u përurua në prani të mbretit Luigj IX.

Ka një arkitekturë të mrekullueshme. Dritaret në formën e trëndafilit me xhama shumëngjyrësh janë një tjetër thesare. Kryevepra e arkitekturës është e pikturuar me afreske nga Shën Thoma Akuini. Katedralja ka 10 kambanore, më e madhja është e vendosur në anën jugore. Nga kulla veriore e Katedrales shihet gjithë Parisi. Dy rozetë me diametër 13 metra që zbukurojnë anësoret janë ndër më të mëdhatë në Europë. Ka tre fasada të mëdha, ku janë gdhendur pamje e figura teologjike dhe biblike. Të mrekullueshme janë figurat mitologjike prej guri, dritaret prej qelqi të ngjyrosur dhe trarët karakteristikë që mbajnë muret. Në brendësi të Katedrales mund të qëndrojnë 6550 vetë. Është 130 metra e gjatë, 48 e gjerë, 36 e lartë nga brenda dhe 69 metra nga jashtë. Mund të zërë 6.550 vetë, rreth 2000 shërbime mbahen atje çdo vit. Ndodhet në mes të qytetit, në në Île de la Cité, një ishull i vogël në mes të qytetit, në lagjen numër 4 të Parisit dhe është katedralja e dioqezës së kryepeshkopit të Parisit.

Më shumë se një objekt fetar, Notre Dome sot konsiderohet si kryevepër arti. Ajo është më kumbuesja dhe më e bukura e artit gotik-klasik në botë. Përfaqëson arkitekturës më të mirë gotike franceze në Evropë. Ka karakteristika të stilit gotik primitiv dhe gotik rrezatues. Është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s. Struktura gotike ngrihet mbi Paris që prej 1200-tës.

NOTRE - DAME DO RIKTHEHET NË IDENTITET

Ndonëse disa nga objektet e saj u shkatërruan, kombi francez nuk është demoralizuar. Ai  pret rindërtimin dhe kthimin e saj në identitet. Presidenti francez Emmanuel Macron premtoi rindërtimin e  godinën historike, edhe nëse zjarri do të vazhdojë. Ai tha se po kërkon ndihmë ndërkombëtare. “Ne do ta rindërtojmë këtë katedrale, të gjithë bashkë, dhe është padyshim pjesë e fatit të vendit dhe projektit që ne kemi për vitet që do të vijnë. Kjo është ajo që presin francezët, sepse kjo është ajo ç’farë historia jonë meriton”. E gatshme u tregua edhe Presidentja e Rajonit Il-de france, ku shtrihet dhe Parisi, Valérie Pécresse, e cila tha se Rajoni do të lëvrojë një fond emergjence prej 10 milionë eurosh për të ndihmuar për të rindërtuar katedralen. Bashkia e qytetit të Parisit do financojë 50 milionë euro për katedralen. Për rindërtimin e saj kanë kanë dhënë mbështetje financiare shumë shtete dhe Bashkimi Evropian. Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, u kërkoi vendeve anëtare të veprojnë. Thirrjes së Presidentit Macron për rindërtimin e Notre Dame i janë përgjigjur shumë kompani dhe biznese të fuqishme në Francë dhe në botë. Deri tani janë premtuar mbi 1.5 miliardë dollarë për rindërtim e saj. Bizneset dhe miliarderët në Francë po kontribuojnë me shuma marramendëse. Dy familjet më të pasura në Francë premtuan 300 milionë euro. Miliarderi François-Henri Pinault dhe babait i tij Francois Pinault ishin të parët që thanë se do jepnin  100 milionë euro nga kompania e tyre, Artemis, për të ndihmuar në financimin e riparimeve. Pinault, shef ekzekutiv i grupit Kering, i cili zotëron markat e modës Guçi dhe Yves Saint Laurent, tha në një deklaratë se "kjo tragjedi prek të gjithë francezët dhe gjithkush dëshiron ta rikthejë jetën sa më parë në këtë xhevahir të trashëgimisë sonë." 200 milionë euro u premtuan nga familja Bettencourt Meyers, një nga më të pasurat e Francës, trashëgimtarë të “L’Oreal”. Po kaq  dha edhe familja Arnault.  Manjati francez, Bernard Arnault dhe grupi i tij i mallrave luksoze LVMH premtoi se do dhurojë 200 milionë euro. LVMH e quajti katedralen një "simbol të Francës, trashëgiminë dhe unitetin e saj".

image025.jpg

NOTRE-DAME DHE SHQIPTARËT

 Kjo katedrale e famshme është shumë e dashur edhe për shqiptarët. Më 6 maj 1980 u mblodhën dhe mbajtën një meshë historike këtu shqiptarët nga e gjithë bota. Kjo meshë u bë në ditën kur kryeqyteti i Francës, Parisi nderoi Heroin Kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriotin -Skënderbeun duke emërtuar një shesh me emrin e tij. Kryebashkiak i Parisit ishte Zhak Shirak (Jacques Chirac), i cili më pas u zgjodh President i Francës.  Sipas gazetës “Koha e Jonë” Mesha e madhe në Notre Dame u udhëhoq nga murgu i shquar arbëresh, At Sofron Prence, ndërsa kori i famshëm i vajzave arbëreshe nga Siçilia, që kishin mahnitur Parisin me kostumet e tyre, kënduan nën drejtimin e At Sotirit. Sipas “Buletinit Katolik Shqiptar”, në meshë merrte pjesë edhe Kardinali i Parisit, si dhe figura të njohura zyrtare e fetare franceze”, -shkruan Ruben Avxhiu në artikullin “Kur shqiptarët mbajtën meshë në Notre Dame të Parisit”.

 

   image002.jpgimage007.jpg

image004.jpg

Modifikuar më E Enjte, 18 Prill 2019 15:49
Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...