Burhan Spahiu, një nga artistët e skenës shqiptare, solist bariton i skenës së Teatrit të Operas dhe Baletit është ndarë nga jeta. Ai lindi në Berat më 5 Janar 1943. Shkollën e mesme e kreu në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe gjatë viteve 1962 – 1967 kryen studimet e larta për kanto në “Konservatorin Shtetëror të Tiranës”, në klasën e pedagogut Ramiz Kovaçi.
Pas mbarimit të studimeve emërohet solist në TOB, ku punon deri në vitin 1989. Gjatë periudhës 20 vjeçare, që ka punuar në TOB, baritoni Burhan Spahiu u dallua për realizimin e një numri të madh rolesh. Janë role nga operat shqiptare dhe nga kryeveprat botërore, ku u shqua për niveli të lartë artistik, si për vokalin, ashtu edhe për lojën skenike.
Baritoni Burhan Spahiu me zërin e tij kumbues, të ngrohtë, me lojën e shkathët, realizoi role, që kanë mbetur në mendjen e spektatorit. Të tilla janë rolet: Talipi, opera “Skënderbeu”; Shemshedini, opereta “Brigada e grave”; Frroku, opera “Përtej mjegullës”; Marcello, opera “La Boheme”; Papuli, opereta “Dhëndrri u transferua”;
Gjeta, opera “Mrika”; Shahin Miluka, opera “Zgjimi”; Kristoja, opera “Lulja e Kujtimit”; Figaro, opera “Berberi i Seviljes”; Rusbashi, opera “Goca e Kaçanikut”; Murrashi , opera “Toka Jonë”; Escamillo, opera “Carmen”; Germont, opera “La Traviata”; Mark Suta, opera “Borana”; Alfio, opera “Cavalleria Rusticana” dhe mjaft role të tjera.
Ka realizuar një numër shumë të madh koncertesh me një repertor të pasur edhe në gjini të tjera vokale si arie, duete, romanca e këngë popullore. Në fushën e pedagogjisë, është një ndër pedagogët më të suksesshëm të Akademisë së Arteve. Një numër i madh studentësh, që kanë mbaruar në klasën e tij, sot, janë artistë të TKOB-së, fitues çmimesh kombëtare dhe ndërkombëtare. Për aktivitetin e tij, Burhan Spahiu është vlerësuar me çmime e urdhëra të ndryshëm gjatë karrierës së tij artistike. Baritoni Burhan Spahiu ka vendin e tij të merituar në TKOB e artin shqiptar./gazeta-shqip/ KultPlus.com