Komedia "Shumë zhurmë për asgjë" e Shekspirit do të jetë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivigli” për publikun mbrëmjen e datës 12 maj. Përballja mes gjinive, ku femrat shpeshherë e gjejnë veten në një botë meshkujsh dhe anasjellas, vjen në sfondin e Shekspirit dhe komedisë së tij “Shumë zhurmë për asgjë". Vepra me regji nga italiani Carlo Sciaccaluga vjen në skenë me një kast të shkëlqyer aktorësh, për të falur një mbrëmje të bukur shekspiriane në Teatrin Kombëtar Eksperimental. Këtë herë në komedi janë në role aktorët Myzafer Zifla, Elidon Alika, Kristian Koroveshi, Alert Çeloaliaj, Genci Fuga, Gjergj Mena, Endri Çela, Xhuliano Brisku, Françeska Hysi, Esela Pysqyli, Ina Morinaj. Mbi veprën që do të jetë në skenë teatri shkruan se ajo ç’ ka Shekspiri na thotë, ndoshta mbi të gjitha, në këtë komedi, është triumfi i qenies njerëzore arrihet kur i besojmë inteligjencës, fantazisë, lirisë së mendimit praktik. Janë 11 aktorë në role dhe mes tyre dhe Genci Fuga që tregon se këtë herë regjisori i ka besuar të jetë në skenë si Leonati. “Unë luaj Leonatin, xhaxhain e Beatriçes. Është një rol që më së shumti "qan" në këtë komedi! Kur e pyeta regjisorin italian Carlo Sciaccaluga pse më ke dhënë këtë rol, ai m'u përgjigj: because i think that you are the best "comedian"”, tregon aktori Genci Fuga. Vepra është përkthyer nga Alqi Kristo, kostumografia Sofi Kara dhe skenografia është e realizuar po nga Carlo Sciaccaluga.
Komedia e Shekspirit
Komedia “Shumë zhurmë për asgjë” i përket periudhës së pjekurisë së Shekspirit dhe futet në llojin e komedisë së zakoneve, me subjekt satirik dhe problemor. Motivi në të cilin mbështet kjo komedi është i njohur që në antikitet dhe rishfaqet në mjaft autorë të kohës së Shekspirit : ai njihet si motivi i "kipcit" ose i ngatërresës që vjen si pasojë e ngjashmërisë fizike mes dy personazhesh të ndryshme. Në komedinë e Shekspirit "kipci" shkakton rënien në kurth të djaloshit, i cili mashtrohet nga një grua që për nga pamja ngjan si e dashura e tij. Fabula pastaj shtjellohet nga Shekspiri krejt lirshëm dhe në përshtatje me shijet e tij estetike. Është një komedi, e nuk është e nevojshme ta themi, mbaron mirë, por përplasjet janë të ashpra dhe vetëm falë vullnetit dhe inteligjencës ngjarja nuk përfundon në tragjedi, përshkruhet vepra në materialin e teatrit. Nëse qenia njerëzore është e gatshme të ndryshojë idetë apo ndjenjat e veta dhe nuk i ngurtëson ato verbërisht, edhe fati më i trishtë mund të shndërrohet në gëzim. Dhe kjo është ajo çka bëjnë Benediku dhe Beatriçja, njëri misogjen cinik, tjetra beqare profesioniste, armiq të përbetuar të martesës, por që përballë fatit të tmerrshëm të dashurisë mes dy më të rinjve Klaudit dhe Heros, zbulojnë se dashurojnë njeri-tjetrin. Braktisin rolin që vet e kishin krijuar, e që prej të cilit ishin burgosur. “Në fakt, tragjedia rrëfen fatin e një individi të paaftë për të ndryshuar realitetin e tij, dhe arrin deri aty sa të shkatërrojë vetë botën në të cilën jeton, ndërsa komedia rrëfen fatin e një komuniteti që, duke ndryshuar, e përmirëson jetën për gjeneratat e ardhshme", përshkruhet vepra nga Teatri Eksperimental "Kujtim Spahivogli". Shekspiri ka qenë komediograf, dramaturg, por edhe aktor. Ai jo vetëm që shkroi disa tragjedi të jashtëzakonshme të cilat hynë në historinë e letërsisë botërore, por edhe shumë komedi dëfryese.