Tenori Armaldo Kllogjeri, një prej zërave më të bukur dhe potent të artit operistik shqiptar vjen këtë mbrëmje me koncertin “E lucevan le stelle”, në skenën e amfiteatrit të liqenit të Tiranës. Tenori i njohur vjen me një koncert recital, i shoqëruar nga Orkestra e Teatrit të Operës dhe Baletit prej 45 instrumentistësh, që do të drejtohet nga Gridi Kraja, dirigjent kori Dritan Lumshi, por e ftuar është dhe sopranoja e njohur Ramona Tullumani. Koncerti që pritet të zhvillohet mbrëmjen e sotme do të sjellë për publikun arie brilante nga repertori operistik botëror, këngë napolitane, hite të këngëve shqiptare në vite aq të dashura për publikun, motive spanjolle, greke, ruse, etj. Tenori i njohur u shpreh se është hera e parë, që vjen para publikut me një koncert recital me përmasa të tilla. “Për mua ky është një koncert i parë recital, që bëj në këto përmasa. Repertori është i përzgjedhur nga muzika klasike operistike. Por jo vetëm me arie operash, por ka dhe këngë napoletane, këngë shqiptare, ka materiale muzikore spanjolle, pjesë koreale. Do jenë pjesë shkruar nga Puçini, Verdi, Bellini, pjesë nga Avni Mula dhe të tjerë autorë”, u shpreh tenori para koncertit. I vlerësuar në skena të ndryshme operistike, tenori Armaldo Kllogjeri shprehet se është ndërtuar një program, që nuk do të lodhë publikun. “Programi është i konceptuar si i tillë që njerëzit ta dëgjojnë muzikën operistike të njohur, atë muzikë që ata e këndojnë dhe vetë. Koncerti është i ndërtuar në mënyrë të tillë që mos ti lodhë njerëzit, dhe nuk është përqendrimi në arie të fuqishme dhe duete të tilla”, vijon tenori Kllogjeri. Sipas tij, çdo artist ka ëndërr të zhvillojë koncerte të tilla, por këtë herë çdo gjë është organizuar brenda një muaji. “Çdo artist e ka ëndërr që të bëjë një koncert recital, por mënyra se si erdhi ky koncert ishte pak spontan. Për herë të fundit me një shfaqje të TOB tenori Armaldo Kllogjeri ishte para disa muajsh me rolin e Rudolfos në operën “La Boheme”. Armaldo Kllogjeri në vitin 2006 ka mbaruar Akademinë e Arteve të Bukura, në Tiranë, dega Kanto, në klasën e drejtuar nga profesor Buran Spahiu, ku dallohet për talentin e tij të veçantë. Në këtë vit merr çmimin si tenori më i mirë i vitit nga akademia “ Kult”. Ka një karrierë artistike të pasur në role si brenda dhe jashtë vendi ndër to janë Duka i Mantovës në operën "Rigoletto", Cavaradossi në operën "Toska" Alfredo në operën “La Traviata”, Luigi në operën “Il Tabarro”, Lekë Dukagjinin në operën “Skënderbeu” etj.