Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës, së bashku me shumë artistë dhe qytetarë nga Kosova, thotë se po i përcjellë me shqetësim zhvillimet e fundit rreth tentimit për rrënimin e objektit të Teatrit Kombëtar të Shqipërisë dhe ka shprehur mbështetjen dhe solidaritetin e plotë me artistët që janë vënë në mbrojtje të kësaj vlere shpirtërore, kulturore dhe historike.
SHSTKK e konsideron të papranueshme sjelljen e dhunshme të policisë ndaj aktorëve protestues dhe paqësorë, si rasti i dhunës ndaj aktorit dhe regjisorit Edmond Budina, i cili, siç thotë SHSTKK, është një ikonë e padiskutueshme e teatrit dhe kinematografisë shqiptare.
“Institucionet e shtetit shqiptar duhet ta kenë parasysh, se lotët e derdhur të artistëve në mbrojtje të objektit të Teatrit Kombëtar, janë një mallkim për këdo qoftë që i shkakton ata, se kur thyhet shpirti i artistit, është thyer shpirti i një kombi”, thotë kjo Shoqatë.
Më tej, Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës vë në dukje se në asnjë vend demokratik nuk rrënohen objektet që paraqesin pasuri historike dhe kulturore, por këto objekte mirëmbahen, restaurohen dhe rifunksionalizohen, “prandaj çdo tendencë për rrënimin e objekteve të tilla përfshirë dhe Teatrin Kombëtar është sulm mbi historinë, kulturën dhe shkëputje e dhunshme nga vlerat e të kaluarës”.
“Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës kërkon nga institucionet vendimmarrëse të shtetit shqiptar, që urgjentisht të anulojnë vendimin për rrënimin e këtij objekti dhe të fillojnë procedurat për restaurimin dhe rifunksionalizimin e tij për arsye se e ardhmja e ndritshme e një institucioni dhe vendi nuk ndërtohet mbi rrënojat e të kaluarës, por mbi themelet e sigurta të saj”, ka përfunduar reagimi i SHSTKK në mbështetje të artistëve të shtetit shqiptar ndaj Teatrit Kombëtar të Shqipërisë.