E njihni Sophia Loren në “Mambo italiane”? I mbani mend debutimet e saj të para? Po magjinë e filmave bardh e zi, kur kinemaja italiane në vitet ’50 joshte edhe producentët hollivudianë? Pikërisht këto filma, me divat si Claudia Cardinale e Sophia Loren, janë rikthyer në Tiranë. 14 produksionet filmike të përzgjedhur nga Instituti Italian i Kulturës kanë nisur të shfaqen çdo të hënë në mbrëmje te Reja.
“Ka thuajse një muaj që ne sjellim për të gjithë ata që vizitojnë apo qëndrojnë në Tiranë, filma që kanë bërë epokë në kinemanë italiane dhe divat e këtyre produksioneve që shkuan deri në Hollivud. Janë filma të viteve ‘50, ‘60 e ‘70 që edhe unë vetë i kujtoj me nostalgji, disa prej tyre madje edhe po i zbuloj tani, në projeksionet që shfaqim çdo të hënë. Dhe nuk mbaron këtu, pasi ne kemi programuar që të jemi çdo të hënë te Reja deri më 16shtator”, tha Alessandra Bertini Malgarini, drejtore e Institutit Italian të Kulturës.
Malgarini thekson se këto filma vijnë edhe si një mesazh për vajzat e bukura dhe teknologjinë. Më mahnit se si këto diva, dikur vajza të bukura punonin e dashuronin kinemanë pa teknologjinë apo rrjetet sociale. Këto filma vijnë edhe si një mesazh për punën e realizuar me pasion. Ato ishin të bukura, por punuan shumë, pa ndihmën e asnjë rrjeti social, që të shkonin deri në Hollivud. Janë filma të jashtëzakonshëm. Dhe më vjen mirë që impakti ka qenë i jashtëzakonshëm. Ne jemi shumë të lumtur që në këto takime të kulturës, ka jo vetëm nostalgjikë të këtyre filmave, por edhe të rinj”, shtoi ajo.
Këto produksione kinematografike transmetohen çdo të hënë në mbrëmje te Reja dhe takimi më i afërt është me Claudia Cardinale-n.