Shembja e Teatrit ‘përçan’ vëllezërit Shllaku, Bruno pro godinës së re, Primo: Ja pse po gabon vëllai im!

Hënë, 16 September 2019 15:50

Anila Dedaj/ “Politika e shteti s’duhet me e përdor krejt pushtetin e vet. Duhet me e lanë nji pjesë të papërdorme, se ajo pjesë e pushtetit që politika nuk përdor, asht fidanishtja e sytheve të proceseve të lirisë”.

Shkrimtari Primo Shllaku, afro një vit më parë zgjodhi ta japë përmes fjalëve të Volterit mesazhin e tij për Teatrin Kombëtar nga agora e protestës. Kanë kaluar më shumë se 13 muaj prej asaj kohe dhe në fakt, qeveria vijon të këmbëngulë në të sajën. Pushteti nuk e kurseu forcën “as me ligj, as me Maliq”. Anën e errët, duke dhunuar në radhë të parë Teatrin Kombëtar, e tregoi në ditët e fundit të prillit.

Germat e Teatrit u hoqën në terrin e natës. Nuk pati asnjë urdhër, as padi (përveç denoncimit të artistëve dhe Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit). Përgjegjësin do ta zbulonte 5 muaj më vonë drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, ndërsa bën me dije kallëzimin penal kundrejt qytetarëve dhe artistëve, që pas 24 korrikut morën në mbrojtje Teatrin Kombëtar. “Heqja është bërë nga bashkia.

Për mua ka qenë një lëvizje e nxituar, por nuk është bërë për provokim. Për këtë jam i bindur”, tha Çuli për mediat. Në këtë kërcim të pushtetit, që arrin kulmin me dhunën fizike e ku drejtuesit, bashkë me ta disa artistë të skenës e teatrit, pohojnë me gjysmë zëri, apo me një entuziazëm të lindur papritur dëshirën për një teatër të ri dhe çuditërisht po në të njëjtin territor; as anash, as pas godinës aktuale, pyetja është: Kush dhe pse e do realisht shembjen e godinës aktuale?

“Edhe në diktaturat ma të egra nuk ekziston mundësia e imponimit të një vullneti të vetëm”, thotë Shllaku për “Panoramën”, ndërsa analizon situatën aktuale dhe artistët që i thonë “Po” shembjes, përmes rastit të vëllait të tij, Brunos. Si njeri i letrave, është i prekur nga indiferentizmi i pushtetit karshi artistëve, intelektualëve të bashkuar si rrallëherë në 30 vite demokraci, për një kauzë të përbashkët.

Një vullnet, që sipas tij, qeveria duhet të ishte e para që duhet ta respektonte dhe që e bën simbolikën e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental edhe më të fortë. I jep më shumë kuptim fjalës “tempull”, me të cilën shkrimtari zgjodhi ta identifikojë Teatrin, për vlerat shpirtërore e historike që ajo ka. Përsërit se pas 1967-ës, kur diktatura shqiptare shënon rastin e paprecedent duke shembur “tempujt” shpirtërorë, shkrimtari pat menduar se situata nuk do të përsëritej më. Për sa i përket dëshirës për të ruajtur këtë objekt të artit, që shpesh është përbaltur duke u konsideruar si “nostalgji për gjyqet e komunizmit dhe për dënimet me varje që jepeshin në teatër”, Shllaku tregon se në ato ambiente aktori dhe regjisori Kujtim Spahivogli kërkoi të dënonin të atin, Lecin (regjisor i njohur dhe themelues i Teatrit “Skampa”.

E megjithatë, shkrimtari, ndërsa e pyesim se si është e mundur që sot ai mbron edhe “Eksperimentalin”, i cili mban emrin e artistit që deshi arrestimin e të atit, ai thotë: “Ne s’do u bajmë gjyqin të vdekurve. Unë e kam pa Teatrin jo si ndërtesë, por si një kauzë të intelektualëve shqiptarë, të cilëve u kanë mungue kauzat e bashkimit. Ky bashkim kaq i gjatë dhe konsekuent, për mue ka qenë një mrekulli e vonueme e demokracisë shqiptare”.

Zoti Shllaku, qëndrimi ndaj kauzës së Teatrit është bërë shkas që të flitet për një lloj politizimi të artistëve. Vëllai juaj Bruno është shprehur për një teatër të ri, por a është ai i angazhuar politikisht?

Me Brunon jemi vllazën prej gjaku. Pra, kemi prindë të përbashkët. Kjo nuk do me thanë se do të kemi edhe pikëpamje e profesione të përbashkëta. Brunoja ka një gabim për mendimin tim. Figura e tij edhe e imja merr shumë hov prej familjes sonë. Tue qenë i biri i një regjisori, “Artist i Popullit”, tue qenë nipi i Gjon Shllakut etj., ne nuk e fillojmë prej zeros, por prej 2-shit, 3-shit, pra jemi të përshpejtuem. Për hir të së vërtetës, duhet thanë se familja jonë nuk ka kurrfarë tradite në politikë. Ne kemi tradita letrare, teatrore, artistike (djali i Brunos asht brezi i katërt që merret me teatër) dhe ushtarake, pasi axha i babës tim ka qenë oficer i nalt i Fan Nolit, masandej i Zogut. Po ashtu, kemi edhe tradita klerikale. Traditë në politikë nuk kem dhe futja në politikë është një dalje nga skema. Nuk ka asnji gja të keqe nëse merresh me politikë, por s’duhet ndërrue e sigurta me të pasigurtën. Duhet të shkëlqesh, të shquhesh edhe atje.

Në qoftë se don me mbajtë ritmin ashendent. Në qoftë se don me zgjidhë një problem, kjo është gjë tjetër. Këtu Brunoja ka dalë pak prej folesë së tij, ku jam edhe unë me të. Nuk është se unë s’kam pikëpamje politike, sepse jam njeri politik, qytetar i politizuem, në kuptimin e vetëdijesimit për atë që ndodh rreth meje se në ç’moment ndodhet jeta ime në raport me jetën e kësaj shoqnie. Por që të bëhem aktivist apo të marr atribute dhe hove politike në një moment të caktuem, për të mos i vazhdue ato ma tutje, por deri te miratimi ose deri te entuziazmi, kjo më duket thjesht tifozllëk.

Dhe unë për vete nuk preferoj me e ba. Im vëlla ka dritën e vet, ai asht njeri që ka punue shumë, që ka ardhë në teatër me dhambë e me thoj. Kur ishte koha nuk kanë dashtë me i dhanë as shkollën, për arsye se kishte marksizmin 5. Dhe e kanë lanë edhe pa shkollë, mandej ai ka vazhdue me korrespodencë Gjuhë-Letërsinë.

Pra, nga kjo pikëpamje unë nuk e duartrokas devijimin e tij prej atyne normativave dhe prej kallëpit nga ka dalë. Ai nuk asht se ka hy në politikë si aktiv, por ka mbetë në periferinë e aktivitetit politik dhe asht thjesht një entuziast, asgja ma tepër. Nuk shof ndonji faul këtu.

Pavarësisht talentit të aktorëve si Bruno, apo edhe emrave të tjerë, kinemaja dhe teatri nuk japin siguri financiare. A mund të jetë edhe ky shkas i një entuziazmi të tillë politik?

Unë nuk di që vëllai im të ketë ndonjë problem financiar. Edhe kur them që nuk e di, s’do me thanë që mund të jetë edhe ky shkaku. Pra, unë e di mirë se nuk ka problem financiar. Edhe ai vetë e din se artistët janë “lypsa zyrtarë” në këtë botë. Janë ata që kërkojnë gjithmonë donacione etj., dhe fakti që lypin nuk i ul, mbasi qëllimi është shumë fisnik. Edhe unë kam lypë lekë për me botue një libër. Por krijimtaria, vepra e artit, për të cilën lypet leku ose fondi, është një qëllim që e shenjtënon veprimin.

Ti lyp për me ndezë llamba, për me ndriçue në një shoqni që ka nevojë për ma shumë dritë. Unë nuk e kam këtë bindje. Madje, ai vetë e din se artistët gjithë jetën e vet kanë pasë financa të dobëta, kanë bë një jetë me të ngrituna e me të uluna, një jetë sinusoidale ekonomikisht. Herë kanë pasë e herë të tjera jo. Kanë mbetë edhe për cigaren, apo për një kafe. Jo vetëm në Shqipni, por në tanë botën. Është rasti i Van Gogh-ut, i cili rrinte edhe dy ditë në dyshek pa lëviz se nuk kishte bukë me hangër. Dhe mundohej me kursye energjinë që të mos e lodhte uria. Në rastin e Brunos, nuk mendoj se asht kjo punë, por është thjesht një çështje opinioni e lirie.

Çfarë është ajo që ju nxit juve të mbështesni ruajtjen e kësaj godine?

Unë besoj te ruajtja e atij Teatri, për shkak të vlerave simbolike që ai objekt ka. Është simbol i një epoke, gjatë së cilës në Shqipni ndodhën ndryshime shumë të mëdha. I një epoke kur arti u vu në vështirësi shumë të mëdha për artistët, të cilët kërkonin të gjenin mënyrën për me tregue veten, nëpërmjet tekstesh dhe pengesave të tmerrshme që kishte imponue censura. Pra, ai vend asht vendi i një djerse të veçantë, ku ka ndodh dhe polarizimi shpirtnor i artistit, që asht ndoshta sëmundja më e keqe që mund ta shkallmojë atë. Pra, duhet të bash një rol që nuk të pëlqen, por duhet t’i japësh publikut diçka që të pëlqehet. Është gati një ndërmarrje e pamundur.

Aty kanë ndodhë, sikundër e thotë edhe Aurel Plasari, edhe gjyqe, diskutime që kanë marrë koka njerëzish. Unë mbaj mend që në këtë teatër, në tetorin e 1969, kur u ba Festivali i Gjashtë Kombëtar i Teatrove në sallën e konferencave të Teatrit “Kujtim Spahivogli”, u ngrit dhe kritikoi shfaqjen e Elbasanit, që e kishte shkrue dhe vu në skenë baba im. Ai tha faqe të gjithëve: “Çfarë pret Sigurimi që nuk i ven prangat Lec Shllakut?” Dhe ai Teatër, “Eksperimentali”, ka emrin e Kujtim Spahivoglit. Pra, unë nuk kam kurrgjë me emnin. Ai ka qenë një njeri që ka punue në teatër, sikundër ai kanë qenë të gjithë, aktorë e regjisorë. Njerëz që i ka pru ai sistem në teatër, me ose pa merita, me ose pa talent. Por ata na kanë pru këtu ku jemi dhe kjo është pjesë e historisë sonë, që na shpjegon dhe na justifikon.

Pra, ju në njëfarë mënyre po mbroni edhe atë Teatër që mban emrin e artistit, i cili kërkoi arrestimin e babait tuaj?

Ne s’do u bajmë gjyqin të vdekurve. Unë e kam pa Teatrin jo si ndërtesë, por si një kauzë të intelektualëve shqiptarë, të cilëve u kanë mungue kauzat e bashkimit. Ky bashkim kaq i gjatë dhe konsekuent, për mue ka qenë një mrekulli e vonueme e demokracisë shqiptare. Pra, kjo asht një kauzë shpirtnore shumë e randësishme, të cilën çdo qeveri në botë duhet të ketë gjakftohtësinë për ta respektue. Pra, një qeveri, e cila nuk respekton sindikalizmin rreth një çështjeje shpirtnore, ajo asht nji qeveri, e cila nuk e kupton as unitetin e saj për vendimmarrje në Këshillin e Ministrave si një trup të vetëm.

Evenimenti i madh është deviza “Mbro Teatrin”. Ajo është mrekullia e gjithë kësaj. Nuk ka rëndësi a është Primoja aty, a është Brunoja, Robert Ndrenika etj.. Rëndësi ka që shqiptarët po gjejnë një mënyrë për t’u bashku dhe për të luftue për një pikëpamje të tyren. Pikëpamja nuk asht e padrejtë, por rezulton se asht edhe pikëpamje kontingjente, pra që mund të merret në kandvështrime të ndryshme, edhe po, edhe jo.

Dhe përderisa asht e tillë, atëherë qeveria duhet të ketë gjakftohtësinë e madhe për të thanë: “Mirë, unë nuk kam pare për me e rregullue atë Teatër dhe le të dalin mandej ata që mbrojnë Teatrin e të mbledhin lekë edhe nëpër botë për restaurimin e tij.” S’do ndodhë e njëjta gja si me Notre Dame, por do të mblidhen lekë për nji riparim teatri. Ata do t’i gjejnë! Pra, këtë duhet të përshëndeste qeveria dhe aq më tepër Edi Rama, të cilin ne e kemi njoftë si njeri me pikëpamje alternative: Risi asht se ky grup njerëzish po mblidhet rreth një ideje dhe në fund të fundit nuk kanë kurrfarë interesi material. Kjo asht mrekullia e kësaj historie rreth godinës së Teatrit Kombëtar. Dhe kjo e ban këtë teatër tempull. Dhe tempujt janë të tillë, të thjeshtë, por mbeten piketa të gjalla për memorien.

Mendoni se një vend që zbaton realisht parimet demokratike do të haste në një situatë të tillë?

Një shoqni demokratike, sado minimale në demokratizmin e saj, asht bashkim vullnetesh. Mençuria e një shoqnie tregohet në koordinimin e vullneteve. Edhe në diktaturat ma të egra nuk ekziston mundësia e imponimit të një vullneti të vetëm. Ata që mbrojnë Teatrin të gjithë, ata që janë në ballë të asaj pune apo në prapavijë përbajnë një vullnet të mirartikuluem dhe të mirargumentuem, që duhet me çdo kusht të respektohet. Edhe nëse efekti mund të jetë përkohësisht i pakuptueshëm për ritmet e një zhvillimi, ai duhet respektue si vullnet. Dhe kjo duhet ba edhe për t’i treguar shoqnisë se qeveria asht e para që respekton gjakftohtësinë dhe urtësinë si virtyt./PANORAMA.al

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...