Sivjet ndahen dy çmime Nobel për letërsi, kë favorizojnë bastvënësit

Premte, 04 October 2019 13:46

Ekspertët janë të kujdesshëm, por bastvënësit preferojnë aktivisten adoleshente për klimën, Greta Thunberg, për laureate të Çmimit Nobel për Paqe, i cili do të ndahet javën e ardhshme.

Vlerësimet nga Ladbrokes – kompani e basteve në Londër – tregojnë se 16-vjeçarja do të shpërblehet me këtë çmim, pasi ka nisur një grevë në shkollë, e cila më pas ka frymëzuar miliona të tjerë për t’iu bashkuar lëvizjes “Të premtet për të ardhmen”.

Çdo parashikim, megjithatë, bart pasiguri të madhe, pasi lista e kandidatëve që shqyrtohet nga Komiteti i Nobelit, nuk bëhet publike dhe ekspertët kanë mendime të ndryshme nëse ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis klimës dhe konflikteve të dhunshme.

Ndryshe nga herat e tjera, Komiteti i Nobelit do të ndajë sivjet dy çmime për letërsinë, për vitin 2018 dhe këtë vit.

Vitin e kaluar – për herë të parë në 70 vjet – çmimi është shtyrë për shkak të një skandali të ngacmimit seksual. Shtatë nga 18 anëtarët e Akademisë suedeze kanë dhënë dorëheqje.

Parashikimet për laureatin në letërsi janë gjithmonë spekulime, që më shumë reflektojnë dëshira sesa një gjykim të vërtetë të prirjeve të Akademisë.

Në mesin e fituesve të mundshëm që përmenden sivjet janë: shkrimtarja polake, Olga Tokarczuk, shkrimtari kenian, Ngugi Wa Thiong’o, shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, shkrimtarja amerikane, Joyce Carol Oates, dhe shkrimtari japonez, Harukii Murakami.

France 24 shkruan se Akademia do të përpiqet të shmangë polemikat këtë vit, andaj do të përpiqet të bëjë zgjedhje të matura. Laureatët pritet të përfshijnë së paku një grua.

Vendimi për të nderuar këngëtarin dhe tekstshkruesin amerikan, Bob Dylan, në vitin 2016 i ka zemëruar tradicionalistët.

Më 2017, ndërkaq, fitorja e Kazuo Ishiguros, një romancier britanik me origjinë japoneze, është parë si zgjedhje konsensuale.

Një Weinstein francez

Trazirat në Akademi kanë nisur në nëntor të vitit 2017, kur 18 gra kanë folur në media dhe kanë akuzuar një figurë kulturore – me lidhje të ngushta me Akademinë – për sulme seksuale, përdhunime dhe ngacmime.

Kjo ka ndodhur shumë shpejt pasi ka nisur lëvizja globale anti-seksizëm #Mee Too, e cila është nxitur nga akuzat kundër producentit amerikan të filmave, Harvey Weinstein.

Në rastin e Suedisë, i akuzuari ishte Jean-Claude Arnault, një francez i martuar me anëtaren e Akademisë, Katarina Frostenson.

Akuzat kanë shkaktuar mosmarrëveshje në institucionin e respektuar për mënyrën se si të trajtohen lidhjet me të. E gjithë kjo ka nxitur edhe një luftë të egër për pushtet dhe ka bërë që mbreti suedez, Carl XVI Gustaf, të ndërhyjë.

Ai i ka ndryshuar statutet, duke iu mundësuar anëtarëve, me pozita të përhershme, të japin dorëheqje.

Arnault më pas është dënuar për përdhunim dhe po vuan një dënim prej dy vjetësh e gjysmë burgim, ndërsa gruaja e tij e ka braktisur Akademinë.

Pas emërimit të anëtarëve të rinj, Akademia është zotuar për më shumë transparencë.

Çmimi i Paqes për Gretën?!

Vitin e kaluar, Çmimi Nobel për Paqe u është ndarë dy kampionëve të luftës kundër dhunës seksuale: kirurgut nga Kongoja, Denis Mukwege, dhe aktivistes Yazidi, Nadia Murad.

E preferuara e bastvënësve sivjet është aktivistja suedeze për klimën, Greta Thunberg, e cila së voni ka fituar çmimin më të lartë të organizatës Amnesty International.

Gjashtëmbëdhjetëvjeçarja ka mobilizuar miliona të rinj prejse ka nisur “Grevën Shkollore për Klimën”, e vetme para Parlamentit suedez, në gusht të vitit 2018.

“Ajo që ka bërë ajo gjatë vitit të kaluar është e jashtëzakonshme”, ka thënë Dan Smith, drejtor i Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes, me seli në Stokholm.

“Ndryshimi i klimës është një çështje, e cila lidhet fuqishëm me sigurinë dhe paqen”, ka thënë ai.

Por, homologu i tij në Institutin e Kërkimit të Paqes, me seli në Oslo, Henrik Urdal, ka thënë se nuk mendon se ajo do të fitojë.

“Fare pak gjasa”, ka thënë Urdal, duke përmendur moshën e saj të re dhe faktin se lidhja midis ndryshimit të klimës dhe konfliktit të armatosur mbetet e padëshmuar.

Si fitues të mundshëm të Nobelit për Paqe janë përmendur edhe kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed, i cili ka bërë paqe me Eritrenë, si dhe dy organizatat joqeveritare: Reporterët pa Kufij dhe Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Komiteti Norvegjez i Nobelit ka marrë 301 nominime këtë vit, por ai kurrë nuk i zbulon emrat.

Sezoni Nobel hapet të hënën me Çmimin për Mjekësi dhe përfundon më 14 tetor me Çmimin për Ekonomi/REL

Modifikuar më Premte, 04 October 2019 13:48
Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...