( Drama, “Tango”, para disa ditësh, në Gjenevë, drama, “Emigrantët”, para shumë vjetësh, në Prishtinë. Dramaturgu i njohur polak, Slawomir Mrożek, mahnitës si këtu, si atje, çdoherë!)
Nga Bajram Sefaj
Kësaj radhe “raporti” teatror nga Gjeneva e Zvicrës, fillon me një prelud të vocërr. Me një kujtim të paharruar nostalgjik, që më kthe mbrapshtë e më shpien në të shtatëdhjetat vjet, të shekullit të kaluar. Ishim të ri e naivë atëherë, më 1977, para plotë dyzet e dy vjetësh, kur Teatri Popullor Krahinor i Prishtinës, bënte përpjekje gjigante të mos mbetët mbrapa, përkundrazi, me tërë forcat e veta krijuese, gati-gati me rebelim rinor, përpiqej të rrokte majat e aktualitetit dhe të ishte në hap me kohën, epokën plotë velim teatror. Pikërisht, në njërin nga sezonet e vitit teatror 1977, në Teatrin tonë, vjen vepra e njohur e dramaturgut në zë polak, Slawomir Mrożek, “Emigrantët”. Sa me kujtohet, në rolet e dy emigrantëve, ishin angazhuar, dy aktorët tonë (atëbotë) të ri: Dibran Tahiri, Hamleti ynë i përjetshëm (gjithnjë beqar!) dhe Hazir Myfttari, tashmë i ndjerë. Këtë vepër të Slawomir Mrożek, në dërrasat e TPK, të Prishtinës e ngjiti më 1977, regjisori mysafir polak, Meçesllav Gorkijeviç, me angazhim të përhershëm në Teatrin e njohur të Polonisë “Bagatella”, të Kraków-it. (Si sot me kujtohet, jo pa nostalgji, kur e “gjeta” në Teatrin e tij, në këtë qytet të lashtë e traditë shekullore teatrore. Edhe pse paksa i rrënuar nga puna, aq sa edhe nga Wotka Wiborovna, regjisori i mirënjohur polak, me njohu dhe priti mirë e me korrektësi. Me gëzim pranoi të falat nga dy aktorët shqiptarë dhe të gjithë të tjerët me të cilët punoi e bashkëpunoi, sa ishte në Prishtinë.
Me këtë prelud (që doli më gjatë se që parandjeva) nuk desha, as tjetër synim nuk pata, pos të vë në pah se më këtë dramaturg të njohur polak, me veprën e tij madhore artistike, teatrore, në këtë rast, sikur jemi takuar, shumë herët. Me vakt! Dhe, tani, pas shumë vjetësh, kur ndeshëm me të, këtu në “Teatri i Ujkut” (Théâtre du Loup (!), çka nuk dëgjon insani!), të tërheq një paralele midis Mrożek -ut, të para dyzet e dy vjetësh kur bashkë me Emigrantët e tij “ishte” atje, në Prishtinën tonë dhe tash, kur shumë vjet pas vdekjes (2008), “erdhi” në Gjenevë! Erdha në përfundim se sikur asgjë nuk ka ndryshuar ndërkohë. Shkrimtari i madh, gjithkund, flet bukur: në Prishtinë, shqip. Në Gjenevë, frëngjisht. Në Kinë, kinezisht e kështu më radhë, në krejt botën. I vetmi ndryshim midis Mrożek-ut, të Prishtinës dhe atij të Gjenevës, fshihej në numrin e bartësve të roleve. Derisa në skenën e Teatrit të Prishtinës ishin dy, vetë dy aktorë (Hazir Myftari i ndjerë dhe, në mos qofsha i gabuar, Dibran Tahiri?. Në shfaqjen Tango të Gjenevës ishte angazhuar ekipi (skuadra) prej shtatë lojtarësh: David Gabet, Yasmina Remil, François Nadin, Dominique Gubser, Nathalie Cuenet, Mthieu Delmontè dhe Matteo Zimmermann, kur secili ishtë më i mirë se shoqi. Ishte në krye detyre, duke arsyetuar, maksimalisht besimin.Në krye te kësaj trupe, kësaj skuadre, ishte “dirigjenti”, regjisori i njohur Sylvain Ferron. “Mbi një ton burlesk, kjo farsë dehëse dhe karnevaleske – shkruar nga dramaturgu polonez Slawomir Mrożek, mbret i teatrit absurd bashkëkohor, trajton çështjet esenciale dhe universale...”, thotë, nder të tjera, regjisori Sylvain. Do të shtoja se, shfaqja e radhës në Gjenevë, kur drama kryhet (përfundon), me vallëzimin e tangos, del si ironi gjeniale, që nuk vjetrohet asnjëherë, në çfarëdo epoke të shfaqjes. Një komunikim mbresëlënës me kohën e sotme, të plasaritur.
***
Dramaturg, shkrimtar dhe karikaturist polak, u lind më 29 qershor 1930 në Borzęcin , në Poloni. Më 1963 Mrożek emigroi në Itali dhe Francë. Më tej në Meksikë. Në vitin 1996, jeta e thërret dhe vendoset në Kraków-in vendlindjes. Në vitin 2008, kësaj radhe, vdekja e fton e, serishmi, kthehet në Francë, në Nice (lexo: Nisë), ndërroi jetë më 15 gusht 2013, në moshën 83 vjeç. Veprat e tij dramaturgjike, ndër të tjera, janë: Tango, Policia, Emigrantët... Në fund të viteve ’50 shkruante drama që i përkasin zhanrit të trillimeve absurde, që synonin të tronditjen e audiencën me elemente jo realiste, referenca politike dhe historike, shtrembërime dhe parodi.