Ka pikturuar dhe ekspozuar në galeritë më të rëndësishme të botës, por tani në këtë moment të jetës, po i dhuron pikturat e tij.
Pas Shkupit, Prishtinës, radha i ka ardhur Tiranës. Pikturat do të qëndrojnë në galerinë e përhershme që mban emrin e tij pranë muzeut të Kryegjyshatës Botërore të Bektashizmit.
Omer Kaleshi njihet kudo në botë si “piktori i kokave”, dhe Dervishët, barinjtë dhe njerëzit e thjeshtë përbëjnë pjesën më të madhe e të rëndësishme të veprave të tij. Njëri pas tjetrit ata shfaqen në pëlhurat e tij me botën e tyre mistike, tablotë janë të thjeshta si jeta e dervishëve dhe paraqesin një pasuri madhështore brenda kësaj thjeshtësie.
Mesazhi i veprave të tij është se duhet të ndërpriten paragjykimet dhe dallimi i njerëzve në bazë fetare, etnike apo kombëtare. Ftesë u bën gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm ta vizitojnë ekspozitën e tij .
Nuk mungoi as vleresimi nga Baba Mondi, i cili e cilësoi këtë ditë historike për bektashizmin.
Omer Kaleshi është autor i ciklit prej pesëqind portreteve të pikturuara, ndërsa ekspozitat e tij janë promovuar në institucionet prestigjioze parisiene, si dhe në shumë qytete të tjera të botës.
Piktori ishte personazh i ftuar në emisionin “Shqiptarë të mrekullueshëm” të gazetares Rudina Xhunga, ku rrëfeu gjithë jetën e tij nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut, deri në Paris, ku jeton prej shumë dekadash.