×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 44

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 53

“Për ty dhe një mijë herë të tjera”. Mësimet për jetën që marrim prej romanit “Gjuetari i balonave”

Saturday, 07 Prill 2018 10:19

Çdo libër na mëson diçka që autori dëshiron ta shprehë në mënyrë të hapur, apo që vetë lexuesi e nxjerr prej mendimit të tij kritik. “Gjuetari i balonave”, kryevepra e Khaled Hossein-it na jep së pari mesazhin më të madh, atë të vlerës së shoqërisë së vërtetë dhe të besnikërisë në jetën tonë, dhe së dyti, se egoizmi dhe arroganca i shkatërrojnë miqësitë dhe marrëdhëniet e forta.

Për Hasanin, Amiri ishte gjithë bota. Ai e shihte botën me mendimin se idealet që duheshin arritur, ishin miqësia, besnikëria dhe dashuria. Në anën tjetër, për Amirin gjërat më me vlerë ishin ato sipërfaqësore. Ai e vlerësonte veten, nisur nga mendimi i të tjerëve për të. Në sulmin ndaj Hasanit, Amiri nuk ndërhyri dhe problemi nuk ishte mungesa e ndërhyrjes për ta shpëtuar mikun e tij që më vonë zbuloi se e kishte vëlla, por fakti që nuk i kërkoi falje duke i thënë se u tremb dhe kjo gjë bëri të mos ndërhynte. Me shumë mundësi Hasani do ta falte me një buzëqeshje në fytyrë, por Amiri i trembej reagimit të të atit. Ai mendonte se Hasani do i thoshte të atit për frikën e tij dhe i ati do ta quante frikacak. Ndaj, për të mos arritur në këtë pikë, Amiri preferoi ta konsideronte hajdut Hasanin, ashtu si agresorët e tij. Por Amiri harroi se është tepër e vështirë të gjesh njerëz në këtë botë që do të bënin për ty çdo gjë, ashtu siç do e bënte Hasani për të.

Romani na jep edhe plot mësime lidhur me:

  1. Afganistanin. Të gjithë mund të mësojnë shumë për vendin që dikur ishte mjaft i bukur, derisa një mëngjes u zgjua i tmerruar dhe duhet të përballej me Luftën e Ftohtë. Unë, jam i bindur dhe shumë lexues të tjerë, nuk e dija se më parë Afganistani ishte mjaft i ngjashëm me Indinë. Nuk e dija se ishte një vend i gjelbëruar, paqësor, modern dhe i zhvilluar po aq sa India. Sot ne e shohim Afganistanin si një vend të rrënuar, si një vend shumë më poshtë në renditje se India në mjaft faktorë. Ky libër na mëson se një gjë e tillë mund t’i ndodhë një ditë edhe vendit tonë, sado e pabesueshme të na duket.
  2. Vlerat njerëzore. Ngjarjet në libër flasin për frikën dhe tradhëtinë, si dhe për vlerën e pendesës. Karakteri i Hasanit, mikut besnik dhe vëllait nga njëra anë e Amirit, i cili është dhe protagonist në roman, si dhe marrëdhënia midis tyre janë përshkruar në mënyrë fantastike në libër. “Gjuetari i balonave” na jep edhe një herë mesazhin se në botë ekziston ligësia dhe se bota mund të jetë ndonjëherë mjaft e egër me disa njerëz. Në fund të librit, ne gjithashtu mund të lexojmë mbi pendesën, si dhe me shmangien e negativitetit, edhe në mes të gjithë tragjedive që mund të na rrethojnë.
  3. Vëllazërinë. Edhe pse thuajse në fund të romanit na thuhet se Hasani ishte vëllai i Amirit, unë mendoj se autori nuk ka dashur thjesht të tregojë lidhjen e gjakut midis dy personazheve të tij. Khaled Hosseini është përpjekur të tregojë se ne të gjithë jemi vëllezër dhe motra me njëri-tjetrin dhe se të gjithë duhet t’i ndihmojmë ata në nevojë. Diskriminimi, dhuna dhe ligësia nuk duhet të luftohen vetëm bazuar në lidhjet e gjakut. Ne të gjithë duhet të bëjmë aq sa mundemi për t’i ndihmuar të tjerët që po luftojnë me aspekte të tilla negative, pavarësisht se mund të mos kemi lidhje gjaku me ta.
  4. Simbolin e kthimit. Personazhi i Amirit që u largua prej Hasanit dhe prej vendit të tij, për t’u kthyer vite më vonë përbën një mesazh shumë të rëndësishëm për mua. Amiri kthehet për të shpëtuar të birin e Hasanit dhe autori do të na sjellë në vëmendje se të gjithë duhet të kthehen për ta shpëtuar vendin e tyre. Sado larg të shkojë dikush, duhet ta vrasë ndërgjegjia dhe të kthehet për të shpëtuar vendin e tij të rrënuar. Nuk mundet që ushtria e një vendi tjetër apo ndihmat e jashtme të japin kontributin e tyre dhe qytetarët e vendit në luftë të mos dalin të luftojnë. Mbi të gjitha, pendesa që Amiri shfaq me kthimin e tij, flet më shumë se çdo gabim që ai ka bërë në të shkuarën.
Login to post comments