Një shtetas shqiptaro-amerikan ka paditur Mbrojtjen Kufitare e Doganore në SHBA këtë javë, me pretendimin se kursimet e tij prej 58 mijë dollarësh iu konfiskuan pa asnjë arsye 7 muaj më parë, e ende nuk i janë kthyer.
Rustem Kazazi, 64 vjeç, rrëfen për “Washington Post” se po kthehej në atdheun e tij Shqipëri, kur u ndalua nga forcat e Mbrojtjes Kufitare e Doganore në Aeroportin e Clevelandit.
Kazazi, i cili u zhvendos në Shtetet e Bashkuara pasi fitoi lotarinë në vitin 2005, duke u bërë shtetas amerikan 5 vite më vonë, tha se kishte me vete 58.100 dollarë, pasi po konsideronte të blinte një shtëpi verore në Shqipëri.
Ai pohon se, pasi ia morën paratë, pjesëtarët e sigurisë e kishin çuar në një dhomë ku i ishte nënshtruar një kontrolli të imtësishëm. Por, edhe pse nuk zbuluan asnjë gjurmë të ndonjë aktiviteti të paligjshëm, ata i konfiskuan paratë me të cilat po udhëtonte.
Tani, ai, bashkëshortja dhe djali po luftojnë për t’i marrë mbrapsht paratë, një mision ky që po rezulton shumë i komplikuar. “Viktimave” u duhet të provojnë se nuk janë kriminelë për t’i rimarrë, diçka kjo që bie ndesh me parimin “të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia”.