Zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës shprehen të bindur që viti 2018 do të jetë pozitiv në drejtim të anëtarësimit në organizata të rëndësishme ndërkombëtare dhe ecjes në drejtim të integrimit. Njëkohësisht, liderët kosovarë paralajmërojnë që Kosova do të nënshkruajë që këtë vit marrëveshjen me Serbinë në fund të dialogut politik të ndërmjetësuar nga Brukseli, që ka si cak normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Kryeministri Ramush Haradinaj tha sot që Kosova dhe Serbia duhet të pajtohen dhe ta njohin njëra-tjetrën në mënyrë që të ecin përpara drejt BE-së. Ai në Kuvendin zgjedhor të AAK-së në Therandë, tha para delegatëve të kësaj partie se Kosovës i duhet gjithsesi që të shkojë në OKB. E, kjo sipas tij, është duke u njohur mes vete me shtetin fqinj, Serbinë, shkruan express.
“Por për ta mbyllur rrugën tonë ne nuk duhet ë frikësohemi të ecim përpara drejt anëtarësimit në OKB. Nëse na frikësohemi ta kërkojmë këtë të drejt se po e tradhtojmë vetën rrugës, atëherë nuk kemi pasur nevojë të vijmë fare deri këtu, kemi mundur të ndalemi me kohë. Ne duhet të shkojmë gjithsesi deri në OKB, Kosova duhet të arrij deri në anëtarësim në OKB se atëherë kryhet rruga e nisur. Nuk është lehtë për Kosovën me u njoftë me Serbinë, mu njoftë ne ndër-vete nuk është lehtë sepse ne e dimë, i kemi këtu Berishët, e sa berishë tjerë masakra në Kosovë, që Krushën e ke afër. Neve na duhet kur të njihemi me Serbinë t’ia japim dorën duke iditur këto masakra, do ta bëjmë këtë sepse ne duam të ecim përpara”, tha ai.
Ndërkaq, Avni Arifi, që është shef në dialogun teknik në Bruksel, ka thënë që nga ky vit qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza, do të krijohet ushtria, do të vijë anëtarësimi në Interpol dhe do të korrigjohet kufiri me Malin e Zi.
“Sivjet: Qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza në BE
– Sivjet: Kosova do të krijojë ushtrinë e vet
– Sivjet: Kosova do të jetë anëtari më i ri i Interpolit
– Sivjet: Do të korrigjohet kufiri me Malin e Zi
Ky vit dhe vite të tjera janë të Kosovës. Nuk do të ndalet Kosova në rrugën e zhvillimit dhe progresi”, ka shkruar Arifi. Bisedimet me Serbinë konsiderohen të rëndësishme për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në OKB dhe anëtarësimeve të tjera euroatlantike. Ndërkohë, presidenti Thaçi po ngulmon që ai duhet të jetë lideri i bisedimeve me Serbinë në Bruksel, dialog që pritet të hyjë në fazë të rëndë në muajt në vazhdim. Sa i përket liberalizimit, Kosova pret sinjal pozitiv për vizat që këtë muaj pas kalimit të demarkacionit dhe akuzave të ndryshme që lidhen me korrupsionin, kurse për ushtrinë duhet të pritet miratimi i minoritetit serb që të votohen ndryshimet kushtetuese.