Universiteti i Tetovës, organizoi ceremoninë e hedhjes së kapelave për studentët e gjeneratës 2017/2018. Rreth njëmijë studentë të këtij universiteti, në sheshin e Rektoratit, përpara prindërve, familjarëve, miqve, kolegëve dhe profesorëve të tyre, e festuan përfundimin e ciklit të parë të studimeve. Ceremoninë e shpalli të hapur Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Arbër Çeliku. Ai, para studentëve tha se është kënaqësi t’i shohësh studentët duke festuar, pasi sipas tij, gjenerata e parë dhe të tjerat me radhë, deri në zyrtarizimin e universitetit, kanë pasur fatin e keq duke përjetuar të gjitha turbullirat politike të fillimit të pluralizmit, të shoqëruara me represion shtetëror. „Kushtet e vështira infrastrukturore, studimi në kapsullë, pa mos dalë edhe një ditë të vetme vetëm për të parë një universitet evropian, kurse gjenerata e juaj, jo vetëm që nuk i ka përjetuar këto, por keni qenë partnerë në bashkëndërtim të Universitetit, keni pasur kushte të shkëlqyera infrastrukturore, e keni gëzuar lirinë e shprehjes, profesorët i keni pasur si prindërit tuaj, dhe më e rëndësishmja, që ne as që e kemi ëndërruar, po festoni me krenari dhe dinjitet ditën e diplomimit tuaj, në një atmosferë dhe performancë të shkëlqyer, së bashku me rektorin, prindërit, të afërmit, kolegët tuaj dhe figura të tjera të rëndësishme politike dhe shoqërore“, u shpreh Prof. Dr. Arbër Çeliku.
Në ceremoninë e hedhjes së kapelave, studentëve dhe familjarëve të tyre me fjalë rasti ju drejtua kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi. „Të dashur student, që kjo ditë është ditë e shënuar e Juaja dhe për këtë rast jemi gjithë ne këtu, me përulje që të kujtojmë gjendjen tuaj të ditëve të para këtu se kur do të vijë dita e fundit, që të liroheni nga obligimet mësimore. Besoj se, sot e kuptoni siç e kemi kuptuar gjithë ne që e kemi ecur këtë rrugë, se këtu nuk përfundon angazhimi i Juaj, përkundrazi këtu e keni kuptuar se tek tani fillon angazhimi i juaj në ngritjen tuaj profesionale, në ngritjen institucionale dhe në obligimet tuaja të reja që ju presin në jetë. Andaj, të jeni të bindur se këtu veç fillon jeta juaj në kuptimin e asaj çka u pret e ardhmja për punë, ato që i keni mësua këtu do t’i ndani me të tjerët dhe për të tjerët. Duke dëshiruar që sukseset t’u ndjekin në të ardhmen në çdo aspekt, si shëndetësor e familjar, që në drejtim emocional të jeni të gjithë të qetë, që të mund të përkushtoheni për obligimet e reja që ju presin në jetë“, deklaroi z. Talat Xhaferi, Kryetar i Parlamentit të Maqedonisë.
Ndërsa ministri i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë, Doc. Dr. Arbër Ademi, në fjalën e tij premtoi se ky universitet nuk do të harrohet kurrë nga shteti dhe se gjatë mandatit të tij si ministër mbështetja për Universitetin e Tetovës do të shtohet më tej dhe kjo krenari e përbashkët e shqiptarëve do të vazhdojë të rritet. „Do të shfrytëzoj rastin t’ju përgëzoj për formalizimin e procesit arsimor në një prej universiteteve më moderne në vend dhe në rajon që ekziston dhe që realizon mësim për 23 vjet radhazi. Të gjithë ju do të merrni diploma, të cilat do të jenë konfirmim për atë që keni mësuar. Jam i bindur se sa më parë do t’ju mundësohet të siguroni angazhim adekuat të punës dhe përfitim material solid. Unë nuk kam asnjë dyshim për cilësinë dhe konkurrencën e njohurive që keni fituar në Universitetin e Tetovës. Ju përgëzoj për suksesin tuaj të deritanishëm dhe ju këshilloj që kurrë të mos hiqni dorë nga të mësuarit“, theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë, Doc. Dr. Arbër Ademi.
Në emër të studentëve të gjeneratës 2017-2018 fjalë përshëndetëse mbajti edhe kryetarja e Parlamentit Studentor të Universitetit të Tetovës, zonjusha Donika Kamberi. Ajo tha se, Universiteti i Tetovës është një realitet i pamohueshëm. „Të nderuar apsolventë, të dashur prindër, të respektuar kolegë dhe miq të Universitetit. ka dallim të madh mes reales dhe joreales, mes asaj që ekziston dhe asaj që nuk ekziston, mes të vërtetës dhe të pavërtetës. Universiteti i Tetovës është një realitet i pamohueshëm me përmbajtje unike dhe të veçantë, e mbi të gjitha të vërtetë. Ai ekziston dhe është përpara Jush. Kështu siç jeni të ulur sot, me sy ka universiteti, kështu me entuziazëm duhet ta shihni edhe në të ardhmen këtë universitet. Pavarësisht se ku do t’ju çojë jeta, në sektorin privat ose publik, në legjislativ, ekzekutiv ose gjyqësor, brenda ose jashtë kufijve, të gjithë nga ne e kemi obligim moral që të vendosim nga një tullë për ngritjen dhe sendërtimin e universitetit. Kjo tullë jo domosdoshmërisht duhet të nënkuptojë diçka materiale, tulla mund të jetë një fjalë e mirë, një vepër e mirë, një kritikë e mirë dhe një këshillë e duhur, e mbi të gjitha një mbrojtje dinjitoze e Universitetit, pikërisht nga ne. Pavarësisht stuhive që e kanë goditur Universitetin e Tetovës, ekziston gjithmonë një vendosmëri e patundur dhe e pazprapsur e klasës intelektuale që qëndroi sot prapa meje. Kjo vendosmëri dhe ky vizion i tyre duhet të mishërohet tek të gjithë ne, që të na bindë të mos besojmë në sajesa të çorientuara klanore, por të besojmë vetëm mbi bazën e dinjitetit njerëzor. Pa marrë parasysh se sa klishe mund të tingëllojë, ju nuk do të jeni kurrë të suksesshëm deri sa të mësoni ta tejkaloni vetveten, të jepni diçka nga vetja e juaj, pavarësisht se ajo mund të hidhet në ujë. Mirësia dhe ndjeshmëria janë shenjat më të rëndësishme të intelegjencës emocionale, kjo intelegjencë e cila kurrë nuk na zhgënjen, tejkalimi i vetvetes nënkupton t’i japësh tjetrit sukses nga suksesi yt dhe kjo të mos u dhimbset asnjëherë. Nuk ka shumë gjëra me të cilat pajtohet bota unanimisht, por ma merr mendja se të gjithë njerëzit në rruzullin tokësor, unanimisht janë të mendimit se rëndësia dhe vlera e universitetit janë të njëjtë për të gjithë“, u shpreh zonjusha Donika Kamberi.
Sipas saj, Universiteti i Tetovës mbetet aseti më i madh kombëtar dhe qëndresa më stoike gjatë viteve të tranzicionit. „Universiteti i Tetovës është ndihmues i proceseve kombëtare dhe rajonale, zëri i arsyes dhe forca e ndryshimeve, vegël e askujt por në ndihmesë të gjithkujt, prandaj ta mbrojmë fort, ta duam sepse si e mira që ska fund, që të gjithë jemi në kërkim të saj, ashtu e pafundme është edhe rruga e dijes dhe shkencës. Sot, sidomos më bën të lumtur fakti që jam në gjendje të shprehem kaq lirshëm dhe në gjuhën time amtare, gjë që para dy dekadave ishte e pamundur, sepse luftohej arsimi shqip, kurse sot pas dy-tri dekadave, jo që luftohet, por e kemi edhe gjuhën edhe arsimin të garantuar me ligj të veçantë. Fare në fund, ju uroj diplomimin, por nëse medoni se suksesi i juaj mbaron këtu e keni shumë gabim, e kam përshtypjen se ne jemi brezi dhe gjenerata më fatlume që ka pasur ndonjëher shoqëria jonë. Pse, do të thoni Ju? Jemi fatlum sepse Maqedonia shpejtë do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe në strukturat tjera Euroatlantike, nuk do të identifikohemi më në bazë të nacionaliteteve përçarëse, por do të jemi qytetarë evropianë dhe këtë e meritojmë ne, sepse jemi pjesë e pandashme e mozaikut të popujve të këtij kontinenti. Në fund, do ta mbylli fjalën time me një pyetje. Jam e bindur që në momentin kur unë do t’ua parashtroj pyetjen gjithësecili nga Ju do ta ketë një përgjigje, por pasi është e pamundur për të marrë përgjigjen nga njëmijë studentë, mendojeni gjatë gjithë jetës përgjigjen. Unë për vete e kam. Të dashur kolegë, apsolventë mos e pyesni veten se çfarë mund të bëjë Universiteti për Ju, sepse ka bërë shumë, pyesni veten se çfarë mund të bëni Ju për Universitetin, dhe nëse nuk mund të bëni asgjë tjetër, të paktën mos e dëmtoni atë“, shtoi mes tjerash kryetarja e Parlamentit Studentor, Donika Kamberi. Për të gjithë studentët pjesëmarrës në ceremoninë e hedhjes së kapelave u ndanë certifikata nga ana e Rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Pas ndarjes së certifikatave, Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti para studentëve dhe familjarëve të tyre tha se me një përkushtim dhe angazhim serioz, bashkë me studentët dhe stafin akademik, arritëm në ditën e sotme të promovimit të apsolventëve të vitit akademik 2017/2018, me ç’rast kurorëzojmë me sukses të plotë objektivat tona për edukim, arsim, dije dhe kërkim shkencor. „Këtë vit akademik, në të gjitha fakultetet dhe programet studimore të Universitetit tonë, kanë arritur t’i përfundojnë studimet e tyre deri diplomike pjesa dërmuese e absolventëve dhe me këtë rast, më lejoni që në emrin Tuaj t’ua shprehim mirënjohjen tonë, në radhë të parë, stafit akademik, profesorëve dhe asistentëve Tuaj, që kanë merita për këto arritje në përgatitjen e kuadrove të reja në fusha të ndryshme të arsimit dhe shkencës. Ndaj, sot, me kokën lartë e përmbyllim një rrugë të cilën e filluam së bashku vite më parë, rrugë që nuk ishte aspak e lehtë, plot me sfida për të gjithë, por mbi të gjitha patëm fatin që të studiojmë e të punojmë në Universitetit emblematik të arsimimit në gjuhën shqipe - në Universitetin e Tetovës. Ne, në sytë e studentëve tanë shohim dritën e së ardhmes dhe kjo është forca e vetme që na shtyn përpara, për të punuar edhe më shumë me të gjitha kapacitetet e mundësitë tona, që ta forcojmë Universitetin tonë, vatrën e dritës dhe diturisë“, tha Prof. Dr. Vullnet Ameti, Rektori i UT-së.
Ai, po ashtu tha se diplomimi i apsolventëve tanë është një ngjarje e madhe, dëshmi e një progresi të qenësishëm që është bërë në institucionin tonë dhe është një dëshmi se të gjithë ne i jemi qasur me seriozitet arsimit dhe hulumtimeve shkencore. „Të nderuar student, Ju, si shumë gjenerata para Jush, zgjodhët për të studiuar në Universitetin e Tetovës, ndoqët me sukses rrugën e arsimimit dhe edukimit, për të fituar njohuri të reja dhe në këtë mënyrë kontribuoni për forcimin e shoqërisë dhe kapaciteteve të institucioneve shtetërore dhe private të vendit tonë. Para Jush është një periudhë e re e jetës. Me marrjen e diplomës universitare, ju do të keni mundësi të punoni në profesionin që keni zgjedhur. Si Rektor i Universitetit të Tetovës, jam plotësisht i bindur në aftësitë tuaja për të filluar karrierën profesionale. Disa nga ju do të vazhdojnë arsimimin e tyre në ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve. Midis tyre ne shohim profesorët e ardhshëm të këtij institucioni, të cilët do ta vazhdojnë traditën e suksesshme të stafit aktual të Universitetit tonë. Ju falënderojmë të gjithëve për këto vite të bukura që kaluam së bashku dhe do të doja t’ju them se e përjetojmë këtë moment kaq madhështor sikurse ju dhe prindërit tuaj të nderuar, të cilët sakrifikuan, kontribuan për rritën dhe zhvillimin e kësaj vatre të dritës dhe diturisë. Në fund, në emrin tim dhe në emër të Universitetit të Tetovës, ua përcjell urimet tona edhe prindërve dhe familjarëve tuaj, që na kanë nderuar sot me praninë e tyre, në këtë ditë solemne t’i gëzohemi së bashku përmbylljes me sukses të studimeve të më të dashurve të tyre“, potencoi mes tjerash Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Ceremonia e hedhjes së kapelave u përmbyll me një program të pasur artistik, ku para studentëve performuan profesorët е universitetit, artistët Bajramali Idrizi, Selami Kolonja dhe këngëtari tetovar Shpat Kasapi.