20 vjet nga koha kur Malësia e Gjakovës, i tregoi botës se nga vende të vogla vijnë histori të mëdha

Tuesday, 05 June 2018 18:36

Nga Sadri Isufi

Përshëndetje të gjithëve. Një përshëndetje e veçantë për Kryetarin e Bashkisë z.Besnik Dushaj që organizoi këtë aktivitet të shumëpritur prej vitesh,në përkujtim të 20 vjetorit të eksodit kosovar ne Tropojë, kur Bota mori mesazhin se: - ”nga vende të vogla vijnë histori të mëdha”. Në ato vite të vështira 1998-1999 kam patur fatin të isha i përfshirë në ngjarjet e asaj epoke të lavdishme, pasi u ndodha në vendin dhe pozicionin që më mundësoi ta perjetoj realisht por edhe të jap kontributin tim modest së bashku me bashkëqytetarët tanë.  Ajo çfarë ka ndodhur në pranverën e vitit 1998 në Tropojë është unike dhe e paimagjinueshme. Në ato ditë të fund majit –fillim qershorit 1998,kur eksodi i të shpërngulurve me forcë nga trojet e tyre vazhdonte pandërprerje, mikpritja e tropojanëve demonstrohej mrekullisht dhe të huajt në Tropojë habiteshin me atë që po ndodhte sepse kjo që po bënin shqiptarët për njëri-tjetrin ishte diçka e harruar dhe e pabesueshme në vende të tjera. Në një trevë tejet të varfër me një popullsi rreth 30 mijë banorë u mirëpriten e u strehuan mbi 20 mijë të ardhur nga Kosova . E tërë Malësia e Gjakovës ishte në mbështetje të kauzës së UÇK-së për çlirimin e Kosovës. Të dëbuarit e parë arritën në komunën e Tropojës rreth datës 25 maj 1998 dhe fluksi i ardhjes së tyre u shumëfishua brenda 2-3 ditësh saqë u bë i pamundur përballimi i situatës vetëm në këtë zonë dhe karvanët e gjatë të fëmijëve,grave e të moshuarve u detyrua të shtonin edhe disa kilometra rrugë të mundimshme drejt qytetit Bajram Curri.Një mobilizim dhe gatishmëri e paparë e banorëve të kësaj treve,edhe pse infrastruktura dhe ekonomia në Tropojë ishin totalisht të rrënuara si pasojë e ngjarjeve dramatike të vitit 1997 dhe rëndi e siguria publike jashtë kontrollit. Por asnjë pengesë nuk mund ti ndalonte për ta ndarë bashkë edhe kafshatën e bukës së fëmijëve të tyre. Një rol tepër të rëndësishëm në pasqyrimin real dhe në kohë rekord të situatës por edhe në sensibilizimin e opinionit dhe organizmave të ndryshme vendase dhe ndërkombëtare, patën mediat e shumta duke filluar nga ato më prestigjiozet si Zëri i Amerikës, Deutche Wele, ROJTER, EuroNews, RAI,BBC, CNN etj si dhe ato vendase, në veçanti mediat lokale si TV B.Curri dhe Radio Kukësi, roli i të cilave ishte i jashtëzakonshëm. Gazetarët e tyre gjendeshin gjithnjë në terren që nga kufiri, në rrugëtimin e të dëbuarve dhe deri në shtëpitë dhe ambientet ku ata ishin strehuar. Pasqyrimi real i situatës orë pas ore, intervistat dhe reportazhet e transmetuara prej tyre patën një ndikim shumë të madh dhe ishin një ndihmë e çmuar për familjet kosovare por edhe për organet e pushtetit lokal në evidentimin dhe marrjen në kohë të vendimeve për stabilizimin e situatave që ndryshonin çast pas çasti. Nuk mund te mos përmend sot me shumë respekt dhe të falënderoj jo vetëm në emrin tim, kontributin e jashtëzakonshëm të Ismail Buçpapës, Asllan Osmanit, Rexhep Shahut, Izet Durakut, Jonuz Hallaçit, Sokol Olldashit, Pëllumb Sulës,Agron Balës etj. Një falënderim të veçantë për “Radio Kontakt” që solli ndihmat e para për përballimin e emergjencës ;për grupin e deputetëve të kryesuar nga të ndjerët Azem Hajdari e Pjeter Arbnori,që na u gjenden pranë në ato ditë tepër të vështira; për ndihmën e bashkëpunimin e vyer të z.Musë Rexha përfaqësues i Qeverisë së Kosovës;për gjithë përfaqësuesit e pushtetit lokal pa asnjë përjashtim, me angazhimin dinjitoz e përkushtimin maksimal të tyre si dhe për shumë shoqata humanitare ,ndihmat e të cilave ishin vendimtare në atë situatë të jashtëzakonshme Ne u vumë në sprovë dhe sfiduam edhe më skeptikët e kohës. Më 1998 Tropoja i riktheu Shqipërisë imazhin e dëmtuar padrejtësisht vite e dekada të shkuara. Bota u mrekullua me atë çfarë bëmë në ato ditë të vështira për shqiptarët edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë. Përfaqësuesit më të lartë të shteteve e organizmave më të rëndësishme si dhe mediave ndërkombëtare më të ndjekura, folën me zë e figurë për sakrificën dhe angazhimin e paepur të popullit të Tropojës. Për këtë, jo vetëm ne,por të gjithë shqiptarët në mbarë botën,duhet të ndjehen krenarë me tropojanët dhe ata meritojnë plotësisht të vihen në piedestalin e mirënjohjes së popullit shqiptar. Ne duhet t’i njohim dhe të mos i harrojmë kurrë këto vlera. Prandaj detyra jonë e madhe dhe përgjegjësia qytetare është: të mos harrojmë! Më lejoni t’ju risjell në kujtesë këtë periudhë jo shumë të largët por fatkeqësisht të lënë jashtë vëmendjes për të mos thënë të injoruar për 20 vjet nga politika por edhe nga qeverisjet qendrore dhe lokale në unison të plotë në Shqipëri e Kosovë. E theksoj këtë sot por e kam përsëritur vazhdimisht se : Humanizmi dhe sakrifica e familjeve tropojane, janë akoma të pavlerësuara si e sa duhet nga shoqëria,dhe veçanërisht nga mediat me një harresë totale të çuditshme e dashakeqe. Shpreh keqardhje sidomos për mosimpenjim serioz të dhjetëra gazetarëve apo botuesve tropojanë në mediat e portalet e shumta ku ata kanë akses; ata që kanë kontribuar janë pakicë në këtë komunitet të madh.Nëse në vitin 1998 kishin vështirësitë objektive për të bërë pasqyrimin në kohë reale të ngjarjeve, më vonë mundësitë kanë qënë dhe janë të shumta, pasi ekzistojnë dokumente arkivore dhe mediatike me vlera të çmuara për kujtesën dhe evidentimin e saktë të atyre ngjarjeve madhore e të papërsëritshme për tu shfrytëzuar në çdo kohë nga studiuesit, historianët, organet shtetërore etj. Janë bërë vazhdimisht vlerësime e përkujtime përgjithësisht selektive për atë që gjithë shqiptarët përballuan denjësisht në vitin 1999 (për tropojanët ishte viti i dytë rradhaz); por të neglizhohet, apo harrohet plotësisht viti i veçantë 1998 , tropojanët e Malësia e Gjakovës më duket jo normale dhe mosmirënjohje e pajustifikueshme por edhe cinike. Malësia e Gjakovës është krenare për mbështetjen që i dha luftës për çlirimin e Kosovës. Tropojanët ishin në vijën e parë të luftimeve Ata kanë kontribut të çmuar në betejat legjendare të Koshares ,me Kolosët e qëndresës Agim Ramadani, Sali Çekaj, Rrustem Berisha etj dhe shembjen e piramidave të kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Disa ranë dëshmorë në fushë të betejës, dhe shumë të tjerë u plagosën. Le të shërbejë ky takim si një nismë për rivlerësimin serioz të ngjarjeve madhore, të kontributit historik të Malësisë së Gjakovës. I ftoj të gjithë ata individë politikanë ose jo,organe apo forume e shoqata që kanë mundësi vendimmarrje ose propozimesh ndaj instancave më të larta apo akses në mediat e portalet e ndryshme; që ti bashkohen e të mbështesin z.B.Dushaj e z.I.Çelaj në iniciativën e ndërmarrë deri në një konkretizim të suksesëshëm.  Mirënjohja është e tëra për qytetarët tropojanë. FALEMINDERIT!

Autori është ish Kryetar i Bashkisë Bajram Curri (1996-2000). Fjala e mbajtur ne aktivitetin e 20 vjetorit te eksodit kosovare

Modifikuar më Tuesday, 05 June 2018 18:51
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...