Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në një intervistë për “Albanian Daily News” ka folur mbi zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, që do të mbahen ditën e diel, u shpreh se po e ndjek këtë proces me vëmendje dhe interes të veçantë. Ai tha se popullsia shqiptare në Mal të Zi është një faktor shumë i rëndësishëm për unitetin dhe stabilitetin e vendit
Mali i Zi, më 15 prill do të ketë zgjedhjet Presidenciale. Si e shihni klimën e përgjithshme parazgjedhore, kur gjithnjë e më shumë janë shtuar shqetësimet për presione nga aktorë të tretë?
Po i ndjek me shumë vëmendje dhe interes të veçantë zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, pasi për ne Mali i Zi nuk është thjesht një vend fqinj i drejtpërdrejtë, por është një vend me të cilin kemi ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera. Marrëdhëniet midis dy vendeve tona sot konsiderohen si shembull bashkëpunimi në rajon. Të dy vendet tona sot janë anëtare e partnere të ngushta në NATO dhe kanë orientim të qartë e të vendosur evropian. Për këto arsye shumë thelbësore jemi shumë të interesuar që zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi të zhvillohen në mënyrën më të mirë të mundshme dhe mos të cenohen apo ndikohen nga aktorë që prej kohësh po punojnë për destabilizimin e vendeve të rajonit dhe dëmtojnë të ardhmen euroatlantike dhe evropiane të tij. Sigurisht që organizata që monitoron zgjedhjet është OSBE-ja, ku Shqipëria është anëtare aktive, por siç theksova edhe më lart, për shkak të fqinjësisë, pranisë së shqiptarëve atje dhe interesit për ta zhvilluar më tej bashkëpunimin rajonal, i ndjekim me shumë vëmendje këto zgjedhje.
Duke qenë se jemi fqinjë të drejtpërdrejtë dhe një pjesë e popullsisë së Malit të Zi është shqiptare, si i shihni prononcimet e deritanishme të kandidatëve për President?
Shqiptarët në Mal të Zi kanë qenë dhe janë një faktor shumë i rëndësishëm për unitetin dhe stabilitetin e vendit dhe ky rol i tyre është vlerësuar shumë si nga aktorët ndërkombëtare ashtu edhe nga drejtuesit dhe politikanët malazezë. Fushata elektorale kudo ka elementët e saj dhe platformat e kandidatëve synojnë maksimalizimin e votës përmes atyre që premtojnë. Por mendoj se shqiptarët në Mal të Zi janë shumë të interesuar, në veçanti për statusin dhe respektimin e të drejtave të tyre legjitime dhe jam i sigurt se ata do të bëjnë dallimin e qartë midis kandidatëve që kanë kontribuar për ta dhe atyre që retorikën nacionaliste apo antishqiptare e kanë bërë pjesë të platformave të tyre.
Cili do të ishte interesi më i mirë i shqiptarëve në këto zgjedhje dhe cilin kandidat mendoni se ata do të mbështesin?
E theksoj edhe njëherë se shqiptarët në Mal të Zi e ndjejnë, e dinë dhe kuptojnë më mirë se kushdo tjetër se cili prej kandidatëve i ka përmbushur dhe përmbush më së miri aspiratat dhe të drejtat e tyre. Nuk ka qenë një proces i lehtë dhe as i përfunduar. Personalisht mendoj se kandidati që i ka vendosur dhe forcuar lidhjet miqësore e të bashkëpunimit midis shqiptarëve dhe malazezëve dhe ka ndikuar në mënyrë të qenësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, është zoti Millo Gjukanoviç. Mikpritja dhe mbrojtja që zoti Gjukanoviç u ofroi në Malin e Zi mijëra shqiptarëve të Kosovës të shpërngulur nga gjenocidi i Millosheviçit mbeten të paharruara për shqiptarët kudo në rajon e në botë. Njohja e shpejtë e pavarësisë së Kosovës prej Malit të Zi ka qenë një tjetër tregues i përkushtimit të tij për fqinjësi të mirë dhe stabilitet. Konstruktiviteti i tij për të zgjidhur në mënyrë të hapur e të drejtë çështjen e demarkacionit me Kosovën është tregues i vizionit të tij evropian. Gjukanoviç mendoj se i përfaqëson më mirë se kushdo interesat shqiptarëve në Mal të Zi, si dhe është një prej kandidatëve me më shumë eksperiencë në drejtimin e Malit të Zi dhe që ofron garanci reale në përmirësimin e klimës së bashkëpunimit rajonal.
Njëri prej kandidatëve, në platformën e tij elektorale ka bërë të qartë se nëse do të fitojë do të rishikojë njohjen e pavarësisë së Kosovës, por edhe anëtarësimin në NATO të Malit të Zi. Si i vlerësoni këto qëndrime dhe çfarë impakti/ndikimi mund të kenë në kuadër të bashkëpunimit midis dy vendeve dhe për rajonin?
Kandidatët, kudo ata qofshin ata në rajon e që kërkojnë kthimin e vendeve tona prapa në kohën më të errët të konflikteve nuk kanë të ardhme. Pavarësisht sfidave e kërcënimeve, rajoni ka hyrë në një fazë të re bashkëpunimi e mirëkuptimi dhe agjenda evropiane dhe euroatlantike dominon përgjithësisht agjendën politike të shumicës dërmuese të vendeve tona dhe gëzon mbështetjen më të madhe popullore.