Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Natalyia Apostolova, tha se Kosova është vonuar në zbatimin e reformave të agjendës evropiane. Në komentet që zonja Apostolova i bëri në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, ajo kërkoi nga kjo e fundit që të përfundojnë reformat deri në muajin shtator.
“Me shumë gjasë, jam 99% e sigurt, se shumica e komisionarëve të Bashkimit Evropian deri në fund të këtij viti do të japin dorëheqje dhe do të nisin fushatën për postet e reja. Kështu që ju do të përballeni me një periudhë kur ne do të kemi një kolegj i cili është shumë teknik por jo politik. Prandaj është tepër e rëndësishme për ju që ta shfrytëzoni këtë mundësi dhe të merrni atë çka mundeni deri në fund të këtij viti nga ne”, tha zonja Apostolova.
Ajo tha se Kosova duhet të përqendrohet më shumë në fusha të caktuara siç është përmirësimi i kushteve të të bërit biznes.
“Nuk dua të ju tregoj se sa herë në takimet tona ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropianë vijnë për tu ankuar për faktin se ata nuk shohin klimën e duhur për investime dhe biznes në Kosovë dhe ata kanë të drejtë”, tha zonja Apostolova.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, u shpreh e bindur se obligimet nga Agjenda Evropiane e Reformave, e njohur si ERA, do të përfundojnë brenda afatit të dhënë.
“Të gjitha do të përfundojnë deri në fund të shtatorit. Me këtë përkushtim do të arrijmë që afatin e shtatorit ta zëmë dhe që agjenda evropiane e reformave të përmbushet. Pa dyshim se nuk mjafton bashkëpunimi vetëm i ministrive jemi duke bashkëpunuar edhe me institucionet e tjera siç është parlamenti që të sigurohemi se prioritetet po përmbushen deri në fund dhe shumë nga prioritetet e agjendës së reformave tashmë edhe janë miratuar në qeveri ose janë në proces të miratimit në parlament. Angazhimi jonë do të vazhdojë”, tha zonja Hoxha.
Kosova deri më tani ka përfituar marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian, por mbetet e fundit në proceset integruese në rajon ndërsa është në pritje që të përfshihet ne regjimin e udhëtimit pa viza në vendet e Evropës Perëndimore. Në të gjitha proceset Kosova përballet edhe me sfidën që paraqet fakti që edhe më tej pesë nga 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. VOA