Policia e Kosovës, në bashkëpunim më shërbimin inteligjent, ka arrestuar të premten pjesën tjetër të grupit të kosovarëve që në bashkëkoordinim po planifikonin të kryenin sulme terroriste në Kosovë dhe në vendet e Perëndimit.
Express sjell emrat e të arrestuarve, historitë e mëparshme kriminale, planet e tyre për sulme terroriste dhe rrëfimin e prindit të njërit prej të dyshuarve.
Bujar Behrami, katër vjet pasi dështoi që bashkë me gjashtë persona të tjerë të sulmojë më armë policinë e Kosovës, një veprim të ngjashëm ka dashur të përsërisë gjatë këtyre ditëve ndaj institucioneve kosovare dhe hapësirave publike të frekuentuara nga njerëzit.
Por, Behrami, i cili në vitin 2014 u la i lirë për t’u larguar në Gjermani, u kap atje të premten. Këtë herë nga autoritetet gjermane, me urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar serish nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Në të njëjtën kohë kur po arrestohej Behrami në Gjermani, Policia e Kosovës ishte në aksion në dy qytete të ndryshme në Kosovë për të kapur tre bashkëpunëtorë të tij.
Resim Kastrati dhe Albert Ademaj, të dy nga Prizreni, bashkë me Leutrim Musliun nga Skenderaj, u arrestuan të premten në mëngjes, pasi dyshohen se nën urdhrat e Behramit po planifikonin të kryenin sulme terroriste në Kosovë. Shënjestër e sulmeve dyshohen se kishin hapësirat publike dhe institucionet qendrore në vend.
Behrami dyshohet se planifikonte të kryente, në të njëjtën kohë, veprim të ngjashëm terrorist në Gjermani.
Si Bujar Behrami, edhe 24-vjeçari Musliu, 26-vjeçari Kastrati dhe 30-vjeçari Ademaj janë emra të njohur për autoritetet e sigurisë në Kosovë dhe ato ndërkombëtare.
E kaluara terroriste e të arrestuarve
Leutrim Musliu, vetëm pak muaj më parë u dënua me 3 vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës, në rastin e njohur si “Izraeli” të grupit që në vitin 2016 planifikuan hedhjen në erë, në Shkodër, të lojtarëve dhe tifozëve të kombëtares izraelite të futbollit.
Ndërsa Bujar Behrami në janar të vitit 2014 ishte arrestuar si pjesë e grupit të dyshuar terroristëtë cilët ishin kapur në flagrancë duke blerë armë me të cilat synon marrjen në kontroll të një prej stacioneve të Policisë së Kosovës. Por, vetëm pak muaj pas Behrami ishte liruar, pjesa tjetër e grupit Ardian Mehmeti, Nuredin Sylejmani, Genc Selimi, Valon Shala e Musli Hyseni vazhdojnë të përballën me drejtësinë në Kosovë, në gjyqin për terrorizëm që është pranë përfundimit.
Resim Kastrati, nga Prizreni, ishte dëbuar nga Italia për në Kosovë në janar të 2015-ës. Ai ishte përjashtuar nga shteti italian pasi akuzohej se është ekstremist islamik dhe kishte për qëllim të nisej për xhihad.
Kastrati publikisht kishte treguar gëzim për masakrën e Charlie Hebdo në rrjete sociale dhe sipas autoriteteve në Itali, atëkohë ishte ndër nxitësit kryesorë të terrorizmit islamik përmes një faqeje myslimanësh italianë në Facebook. Me t’u kthyer në Kosovë, ai ishte liruar nga autoritetet kosovare.
Më herët ai ishte dëbuar edhe nga Gjermania për të njëjtat dyshime.
Aksioni i Policisë në Kosovë dhe Gjermani
Nga ana tjetër, Policia dhe Prokuroria Speciale e Kosovës kanë njoftuar në mëngjes për këtë aksion anti-terrorizëm të ndërmarrë të premten pa aguar, në dy lokacione të ndryshme në Prizren dhe një në Skenderaj.
“Gjatë këtij operacioni në cilësinë e të dyshuarve janë shoqëruar në Drejtorinë Kundër Terrorizmit tre persona të dyshuar (R. K., A. A. dhe L. M.), nën dyshimin e bazuar se kanë kryer vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, që ndërlidhen me terrorizëm”, ka njoftuar Policia, duke iu referuar arrestimit të Resim Kastrati, Albert Ademajt dhe Leutrim Musliut.
Gjatë këtij operacioni, sipas policisë, në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar një armë automatike AK 47, tre karikatorë të armës AK 47 me 40 fishekë, një pushkë ajrore, një revole colt, një palë dylbi, një veturë me targa të huaja, si dhe disa pajisje elektronike dhe gjësende tjera, të cilat, sipas PK-jë, janë përdorur për kryerjen e veprës penale dhe të cilat do të analizohen në vijim.
Më tej Policia e Kosovës ka zbuluar se ky operacion është zhvilluar në koordinim edhe me autoritetet gjermane, të cilat njëkohësisht kanë zbatuar urdhër arrestin ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ndaj kosovarit Bujar Behrami.
Dyshimet për të arrestuarit, Prokuroria Speciale i ka klasifikuar si “Përgatitje e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, në bashkëkryerje por të mbetura në tentativë, si dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Me kërkesë të prokurorit special, Gjykata Themelore e Prishtinës, tre të dyshuarve u ka caktuar nga një muaj paraburgim. Ndërsa, për Behramin do të iniciohen procedurat e ekstradimit nga Gjermania.
Ndërlidhja e katër të arrestuarve me çiftin që deshi të sulmoi KFOR-in
Policia, po ashtu ka njoftuar se aksioni i të premtes, është vazhdimësi e operacionit të ngjashëm që PK-ja dhe AKI-ja kanë kryer më 5 qershor të këtij viti, që kishte rezultuar me arrestimin e çiftit kosovar Gramos Shabani dhe Edona Haliti të dyshuar për terrorizëm.
Gramos Shabani, kosovar me shtetësi belge, dhe e dashura e tij nga Prishtina, Edona Haliti, dyshohen se kishin vënë në cak të sulmeve terroriste konvojët e misionit ushtarak të NATO-s në Kosovë, KFOR-it. Edhe ata të dy tani ndodhen në paraburgim.
Edhe 28-vjeçari Gramos Shabani me prejardhje nga një fshat i Obiliqit nuk ishte i panjohur për hetuesit e anti-terrorizmit në Kosovë. Ai në gusht të vitit 2014 ishte ndaluar për të udhëtuar në Siri. Kosovari më shtetësi belge ishte ndaluar në aeroportin e Prishtinës pasi dyshohej se po provonte që përmes Turqisë t’i bashkohet ISIS-it. Por, më pas ishte liruar për t’u kthyer në Belgjikë ku banonte me familje.
Flet nëna e të arrestuarit Leutrim Musliu
Gazeta Express të premten, pak orë pas aksionit në Kosovë dhe Gjermani, ka arritur të bisedojë vetëm më nënën e Leutrim Musliut, Mejremen.
Gruaja nga Tushila e Skenderajt, të cilës policia ia arrestoi djalin për herë të dytë, vetëm pak muaj pasi u dënua një herë për terrorizëm, vazhdon të besojë në pafajësinë e të birit.
“Vallai asni sen nuk e dimë. Veç e dimë se sot kanë ardh e kanë arrestu. Unë besoj se djali jem është i pafajshëm”, tha ajo, e revoltuar nga arrestimi që i ndodhi në shtëpi herët në mëngjes, pa zbardhur dita.
Sipas saj, Leutrimi nuk ka kohë të merret me veprime për të cilat është dënuar e të tjera që tash dyshohet, pasi është i përkushtuar ndaj deleve të cilat i mban.
“Nonstop a marr qetu me qeto dele. Unë sen tjetër nuk di. As me çka merret as se çka ban. Unë e di qe i rune qetu bagëtinë, i kem 80 copa”, thotë ajo.