“Me qenë shkodran të tana i ban.”- thotë fjala e urtë për shkodranët. I tillë është edhe Niko. Kur e takoj, është duke i dhënë dorën e fundit një flat-i dhe po mbyll detajet elektrike. Pastaj nis shtrimi dhe besoj këtë javë e kam gati, thotë Niko, që në fakt është Nikolin, po më shkurt më mirë, -thotë, ndërsa i jep drejtim skuadrës se duarve të shpejta që drejton. “Kam pasur gjithmonë punën time. Nuk dua pronar mbi kokë, mjafton afati e cilësia e punës, të më urdhërojnë” – thotë.
Niko ka 20 vjet që ngre shtëpi në Londër.
Gjithçka vetë, ndërton, riparon dhe më fund ikën e mbledh veglat, për të nisur punën tjetër që vjen shpejt.
Sapo bëhet inagurimi i shtëpisë, të gjithë pyesin kush e bëri këtë dhe Nikoja ka gati kërkesën e radhës.
Ndaj nuk bëj as reklamë as website, thotë, se nuk kam kohë. Dy shtëpi në vit, tre rrallë. Kaq mundem.
Histori e Nikolin Prelës është historia e një piktori shkodran qe iku në ’93 nga qyteti. Nuk isha keq – thotë po e dija që kishte më mirë.
U nis për Gjermani ku jetoi 5 vjet me familjen.
Vetëm në prill 98 iku prej andej se e thërriste Amerika. Por ndalesa e parë në Londër, qëllimi SHBA.
Në Londër hyri kurs gjuhe, shkollë për marangoz dhe mori zanatin që e ushtron sot e përgjithmonë në vendin që tani nuk e ndërron me Amerikën.
Këtu fëmijët bënë shkollë, nisën punë, këtu kam 21 vjet që jetoj e çdo gjë e bëj me postë, s’ka vonesa, pengesa, rryshfete. Kush punon, këtu ia del.
Ndaj Niko nuk iku kurrë.
Këtu paguan taksa, sigurime, do marrë pension e pastaj ku i dihet.
Pse sigurimet dhe taksat nuk janë e njëjta gjë, nuk shkojnë të gjitha për pension, e pyet Thimio, një punëtor që ka ardhur vetëm për një ditë, ne skuadrën e Nikos.
“Është 65 vjeç -më thotë Niko, kjo është punë e rëndë, nuk e përballon dot.”
Ndaj shiko kund tjetër i thotë punëtorit nga Korça, që tund kokën në shenjë pohimi.
Ai ka ardhur nga Selaniku te provojë fatin.
Niko e di që ai nuk ka shumë shans për fat, po nuk bie në sy.
Provoje -i thotë, një gjë do të dalë.
Rëndësi ka të duash punën.
Kush e do, edhe puna do ta dojë e do ta ndihmojë.
Niko thotë se dikur kishte radhe për ndërtim, ne Londër. Të gjithë të rinjtë që vinin nga Shqipëria. Por tani, po i bëjnë bisht punës, se kanë gjetur këto punët e drogës.
Unë nuk kam kohë të merrem me këto llafet, por e kuptoj te tregu punës, çfarë po ndodh. Mbase ndryshon koha dhe i kthehen punës, -thotë Niko pa ngritur kokë nga puna në shtëpinë e re.
Niko beson te puna. Atdheu i tij është puna. Të gjithë përreth tij janë nga Shqipëria e ca më shumë nga Kukësi, ne shtëpi me gruan e fëmijët flasin shqip dhe nuk ia ndjen mungesën atdheut.
Atdhe është gjuha, është tradita dhe ne e kemi traditë të ikim nëpër botë, thotë Nikolini, djali i një babai që u lind shkodran dhe u rrit në Ulqin, solli në Shkodër gruan malazeze , bëri burg në kohën e komunizmit, i vdiq gruaja, i iku djali te dajat në Mal të Zi, u martua sërish, e bëri të tjerë fëmijë.
Kur babai vdiq dhe Niko iku ne emigrim, vëllai malazez, u kthye nga emigrimi në Amerikë, ne Mal të Zi dhe pastaj Shkodër dhe u kujdes për nënën time, më shumë se unë. E kishte gruan e dytë të babait shqiptar, tregon Niko, historinë e një sage familjare qe si cdo histori ballkanase është plot pasion, dramë, emigrim dhe kthime që nuk mbaron kurrë shkrimi të nisësh të tregosh se çfarë ndodhi me djemtë e vëllait të Nikos, në SHBA.
Rëndësi ka që po je në Londër dhe do të bësh shtëpinë, merre Usta Nikon. E do numrin. Ja ta pyes nëse mund ta japë.
Po mire, jepe, punë paçim- thotë artisti nga Shkodra. (Nga Rudina Xhunga- Dritare. net)