Mungesa e kujtesës publike në Serbi të gjenocidit të Srebrenicës këtë vit, njësoj si vitet e tjera tregon një mungesë të vazhdueshme ndjeshmërie dhe solidariteti për viktimat dhe të mbijetuarit e luftës boshnjake dhe një mohim të vazhdueshëm të përgjegjësisë serbe.
"Në vazhdën e disa ditëve në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kryen mizoritë më të këqija në Europë pas Luftës së Dytë Botërore. Ata grumbulluan mijëra refugjatë boshnjakë, të cilët e gjetën veten në kushte të tmerrshme pa ujë apo ushqim në «vendin e sigurt» të caktuar në Kombet e Bashkuara në Potoçari, jashtë Srebrenicës. Ndërsa paqeruajtësit holandezë të OKB-së përgjegjës për bashkimin shikonin, trupat serbe hynë dhe ndanë gratë nga burrat dhe djemtë. Brenda 30 orësh, 23 mijë gra dhe fëmijë u dëbuan, ndërsa ushtarët serbë morën të gjithë burrat nga mosha 16 deri në 60 vjeç, i torturuan dhe vranë rreth 8 mijë prej tyre.
Në malet rreth Srebrenicës, masakrat vazhduan me javë. Pas vrasjes, trupat serbe gërmuan varre masive dhe i përhapën eshtrat nëpër terrenin e madh pyjor. Ndërsa pjesa më e madhe e vrasësve vinin nga forca të ndryshme serbe të Bosnjës nën komandën e Ratko Mlladiqit, grupe më të vogla paraushtarakësh serbë, duke përfshirë një njësi shumë brutale të njohur si «Akrepat» u dërguan direkt nga Serbia. Prova e përfshirjes serbe u shfaq në vitin 2005, kur prokuroria në çështjen kundër Sllobodan Millosheviqit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë tregoi një video me ekzekutime të qarta të burrave boshnjakë jashtë Srebrenicës.
Videoja grafike tregon paraushtarakët serbë teksa torturojnë, poshtërojnë dhe abuzojnë verbalisht disa boshnjakë shumë të rinj. Një nga «Akrepat» bërtet: «Ani do të vdesësh virgjëreshë». Të burgosurit i hapën vetë varret e tyre, i detyruan të rrinin në buzë të gropës dhe më pas u qëlluan me armë pas shpine. Gjatë gjithë kësaj kasaphane, vrasësit serbë shikonin dhe shqetësoheshin se mos kamerës që regjistronte ekzekutimet i mbaronte bateria.
Brutaliteti i skenës, identifikimi i qartë i vrasësve dhe viktimave, dhe tmerri absolut i ngjarjes fillimisht tronditi shoqërinë serbe. Video u shfaq në shumicën e stacioneve televizive për rreth një javë. Prokurorët serbë e krimeve të luftës e përdorën videon për të identifikuar autorët dhe në javët në vijim disa nga vrasësit u arrestuan dhe u akuzuan për krime lufte para Dhomës Serbe për Krime Lufte. Në vitin 2007, katër prej tyre u dënuan dhe iu dhanë dënime që varionin nga pesë deri në 20 vjet burg. Megjithatë, këtu mori fund historia e përgjegjësisë serbe për gjenocidin në Srebrenicë, edhe pse pikërisht këtu duhet të kishte filluar.
Njëzet e tre vjet më vonë, Srebrenica nuk është një kujtues i rëndësishëm në Serbinë bashkëkohore. Në ceremoninë zyrtare përkujtimore në Potoçari javën që shkoi, i vetmi politikan serb i pranishëm ishte Çedomir Jovanoviqi, kryetari i Partisë së vogël Liberal Demokratike, e cila mezi fitoi pesë për qind në zgjedhjet e fundit parlamentare në 2016. I vetmi zyrtar tjetër publik i cili madje e përmendi përvjetorin ishte Dragan Markoviq Palma, kryetar i partisë së qendrës së djathtë Serbia e Bashkuar, i cili mohoi se ngjarjet në Srebrenicë përbënin gjenocid, një term të cilin ai e rezervonte vetëm për dëbimin kroat të popullsisë serbe në Operacionin Stuhia të gushtit 1995.
Për të gjithë politikanët e tjerë dhe zyrtarët publikë në Serbi – përveç grupit të vogël të aktivistëve të dedikuar të drejtave të njeriut, siç janë Gratë me të Zeza – 11 korriku nuk është një ditë e denjë për t’u kujtuar, reflektuar dhe sigurisht jo për shlyerje faji. Dhe këtu qëndron problemi kryesor i kujtimit historik serb të Srebrenicës dhe i luftës më të madhe që Serbia zhvilloi në vitet 1990.
Ndërsa mohimi i drejtpërdrejtë që masakra e Srebrenicës ka ndodhur është relativisht i rrallë, ngjarjet e korrikut 1995 janë minimizuar dhe rëndësia e tyre historike dhe morale pothuajse shpërfillet tërësisht.
Kur përballen me prova të pamohueshme të kësaj mizorie masive dhe të pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë serbe në të, zyrtarët serbë dhe shumica dërrmuese e publikut e kualifikojnë atë si një operacion të ligjshëm ushtarak kundër boshnjakëve, sepse ata ishin në «moshë ushtarake» ose si një «teprim i zakonshëm i kohës së luftës» ose si një incident i izoluar nga një grup i korruptuar psikopatësh paraushtarakë, që punonin jashtë zinxhirit kryesor të komandues.
Konsensusi akademik që përcaktoi rreth 8 mijë viktima është tallur gjerësisht si ekzagjerim boshnjak dhe ndërkombëtar. Përcaktimi i ICTY-s se shfarosja sistematike e boshnjakëve përbën një rast gjenocidi refuzohet. Por kryesisht ajo që përfaqëson Srebrenica në kujtesën publike serbe sot është një ngacmues, një tjetër provë e propagandës anti-serbe, në të cilën akterët ndërkombëtarë fajësojnë serbët për mizorinë më të keqe, duke lënë boshnjakët, kroatët dhe shqiptarët e Kosovës pa faj për vetë dhunën e tyre kundër serbëve.
Srebrenica, në kujtesën publike serbe është më së shumti rreth serbëve – caktimi i padrejtë i masakrës nga ICTY-ja si i vetmi rast gjenocidi i kryer gjatë luftërave jugosllave, identifikimi i padrejtë i serbëve si nxitësit kryesorë të luftërave, pretendimi i padrejtë se ishin serbët ata që kryen shumicën e krimeve të luftës. Kjo, në fund të fundit, është ajo që Srebrenica përfaqëson sot – një dallim krejtësisht i papajtueshëm midis mënyrës sesi Serbia e shikon veten dhe rolit të saj në luftën e viteve 1990 – dhe mënyrën sesi e ka gjykuar atë pjesa tjetër e botës.
Kujtimi i Srebrenicës nuk është vetëm kujtimi i 16-vjeçarit të tmerruar Azmir Alispahiq, nëna e të cilit e identifikoi atë në videon e «Akrepave» ndërsa torturohej dhe vritej sepse liderët nacionalistë serbë e konsideruan atë si një armik të popullit serb. Që kuptimi i vërtetë i Srebrenicës – dhe tmerrit të saj të plotë, turpit, brutalitetit dhe njollës – të rezonojë në shoqërinë serbe, kujtesa s’duhet të jetë më shkëmbyese, kur sa herë përmendet një krim serb ai krahasohet menjëherë me një krim kundër serbëve, ku njëri nuk ekziston pa tjetrin.
Ajo që është e nevojshme dhe që mungon është solidariteti i kujtesës, ku ne jemi të ndjeshëm për vuajtjet që nuk janë tonat dhe kuptojmë se shprehja e përgjegjësisë për dhimbjen e të tjerëve i bën historitë tona më të balancuara dhe më të plota dhe shoqëritë tona më të drejta." Nga Jelena Subotiç, Atlanta*
*Jelena Subotic është profesoreshë e Shkencave Politike në Georgia State University në Atlanta. Ajo është autore e «Drejtësi e rrëmbyer: Të përballesh me të kaluarën në Ballkan». Aktualisht ajo po shkruan një libër mbi kujtesën e Holokaustit në Europën Lindore.