Forca e Sigurisë së Kosovës pritet të hapë konkurs për plotësimin e vendeve të lëna bosh nga pjesëtarët serb të kësaj force, të cilët javë më parë braktisën radhët e saj. Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku tha për Radion Evropa e Lirë se Forca e Sigurisë së Kosovës është organizatë profesionale ku hyhet vullnetarisht.
“Në FSK nënshkruhet kontrata për shërbim në FSK. Janë të parapara rregullat për shkëputje të kontratës dhe ne kemi shkëputur kontratën më një numër të pjesëtareve tanë që vinin nga komuniteti serb. Na vjen shumë keq për ta”, tha Çeku.
“Tash janë liruar disa vende dhe shumë shpejt do të hapet konkursi dhe t'i plotësojmë këto vende, po me pjesëtarë të komunitetit serb dhe mund të them se ka interesim të madh për t'iu bashkuar FSK-së. Pra nga radhët e qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë", tha zëvendësministri i FSK-së.
Largimi i pjesëtarëve serb nga Forca e Sigurisë pasoi presionet e ushtruara ndaj tyre nga Beogradi zyrtar. Autoritetet në Beograd thonë se do të angazhohen për të penguar formimin e ushtrisë së Kosovës.
Forca e Sigurisë së Kosovës, sipas qëndrimeve politike në Prishtinë, pritet që në të ardhmen të transformohet në Forcat e Armatosura të Kosovës.