Kryetari i Këshillit Drejtues i Forumit për marrëdhënie etnike në Serbi, Dushan Janjiq, mendon se Beogradi, në bisedimet me Prishtinën, do të duhej të ridefinonte Asociacionin e komunave serbe (AKS) në autonomi territoriale dhe thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duhet të nis të ndryshojë politikën ndaj Kosovës, sepse, në të kundërtën, do të del humbës.
“Nëse Vuçiçi mbetet në këtë pozicion, ai është humbës. Nëse dëshiron të shpëtojë diçka, duhet të nisë të ndryshojë politikën, që ta kthejë në terma që i njeh bota e civilizuar”, ka thënë Janjiq në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “FoNet”, transmeton Koha.net.
“Nuk ka zgjidhje përfundimtare, nuk ka demarkacion dhe nuk ka as zhvendosje të banorëve, nuk ka vrasje që njerëzit të zhvendoseshin, por të shkojmë me autonomi të serbëve brenda Kosovës”, ka deklaruar Janjiq duke u përgjigjur në pyetjen në lidhje me kompromisin në dialogun me Kosovës.
Sipas tij, Vuçiçi duhet ta “definojë kompromisin në kuadër të realitetit”.
“Maksimumi që ai mund ta paraqes si fitore është që të mos bisedohet për statusin”, ka vlerësuar Janjiq, dhe ka thënë se Serbia “edhe ashtu nuk pyetet se a do hyjë Kosova në Kombet e Bashkuara (OKB) dhe nëse hyn, me çfarë statusi”.
Sipas tij, udhëheqësia serbe do të duhej të ndalojë me fushata e me mbushje të kokave të njerëzve me pritje të mëdha, por që “AKS-në ta ridefinojë në autonomi territoriale”.
Janjiq thotë se “autonomia territoriale e veriut të Kosovës, ku Mitrovica do të shihet si qytet i ndarë, mund të paketohet në dy korniza”.
“Njëra është korniza e mini-rajonit evropian, me bashkëpunim ndërkufitar, e cila do të kishte mbështetjen e të gjithëve dhe e cila pjesë [veriu] do të mbetej faktikisht e lidhur me Serbinë, ose, nëse Serbia hyn në NATO, mund të vijë deri tek ndryshime dramatike dhe ndarje paqësore”, ka sqaruar Janjiq, transmeton Koha.net.
Ai ka kujtuar se ekziston diçka që është “më e fuqishme sesa dëshira e Vuçiçit dhe Thaçit, që kanë nënshkruar më 2013, dhe kjo është marrëveshja e parë kornizë të cilën vetëm do duhej ndërtuar”.
Analisti serb thotë se “gjatë vitit 2016 ka pasur kontakte mes Edi Ramës, Vuçiçit, e kohë pas kohe edhe me Thaçin e disa tjerë, dhe, duke e pasur parasysh që qëndrimi i administratës së atëhershme amerikane ka qenë ‘hajde të shohim se për çfarë mund të merreni vesh’, dhe pikërisht atëherë kanë nisur të diskutojmë për shkëmbim territoresh”.