Përfaqësuesit e institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë, theksojnë se pavarësisht marrjes së rekomandimit pozitiv nga Komisioni Evropian, për liberalizimin e vizave, institucionet përgjegjëse, do të vazhdojnë përkushtimin e tyre në forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Rekomandimi pozitiv, nuk nënkupton edhe përmbylljen e gjithë procesit të liberalizimit të vizave, ngase deri te vendimi final, procedurat kërkojnë miratimin e këtij rekomandimi edhe nga dy instanca të BE-së, Parlamenti dhe Këshilli i Ministrave.
Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, tha për Radion Evropa e Lirë, se në përgjithësi institucionet e Kosovës janë të përkushtuar në fuqizimin e sundimit të ligjit.
“Përkushtohemi maksimalisht që Republika e Kosovës edhe në të ardhmen të jetë e gatshme për hapa të mëtejmë në agjendën evropiane. Pra, liberalizimi i vizave vetëm është vetëm një hap tani na presin edhe hapa të tjerë, siç është momenti kur Kosova do t’i hapë negociatat për anëtarësim për në Bashkimin Evropian, janë kapituj që ndërlidhen me fuqizimin e sundimit të ligjit dhe ne do të përgatitemi paraprakisht për këtë proces. Mund të konfirmoj se jemi në rrugë shumë të mirë sa i takon këtij procesi”, tha Tahiri. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ditë më parë ka zhvilluar një takim me disa nga drejtuesit e institucioneve të Kosovës që kanë të bëjnë më sistemin e drejtësisë, ku siç thuhet ka kërkuar nga ta që të vazhdohet puna me përkushtim në sundimin e ligjit dhe luftimin dhe dënimin e dukurive negative