Mbi 125 ushtarë të batalionit për sulme helikopterë të Gardës Kombëtare të shtetit amerikan Tenesi, vitin e ardhshëm do të dërgohen në Kosovë. Ata do të shërbejnë në Kosovë për 11 muaj dhe do t’i ofrojnë ndihmë KFOR-it në ruajtjen e paqes.
“Ushtria e Shteteve të Bashkuara është e pranishme në Kosovë për më shumë se 20 vjet dhe në vitet e fundit, këto forca janë komanduar nga Garda Kombëtare”, ka thënë gjenerali Max Hatson, raporton Fox17.
“Stabilizimi i këtij vendi është një angazhim i SHBA-së dhe NATO-s, prandaj Garda Kombëtare e Tenesisë ka vendosur njësi të shumta dhe personal gjatë viteve të fundit, për të ndihmuar në ruajtjen e paqes”, ka thënë tutje gjenerali Hatson, transmeton REL.
Përveç dërgimit të trupave në Kosovë, Garda Kombëtare e Tenesisë do të dërgojë trupa edhe në Ukrainë dhe Poloni. Zyrtarët kanë thënë se në këto tre misione do të dërgohen pothuajse 1,200 ushtarë, që është numri më i madh i ushtarëve të dërguar në misione jashtë vendit, që prej vitit 2010.