Ish-kryenegociatorja e dialogut teknik, Edita Tahiri, ka vlerësuar se Qeveria aktuale ka dështuar në qasjen ndaj zbatimit të Marrëveshjes për Asociacionin me vetë faktin që ka lejuar vetëm përfaqësuesit e komunitetit serb ta bëjnë draftin e statutit. “Duke përjashtuar veten nga kjo çështje, Qeveria aktuale me vetëdije ose pa vetëdije ka lejuar devijime të mundshme dhe shkelje të Kushtetutës dhe të ligjeve të Kosovës”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.
Marrëveshja për Asociacionin, sipas Tahirit, duhet të jetë e bazuar në Kushtetutën dhe në ligjet e Kosovës. Kjo marrëveshje, sipas saj, nuk lejon kompetenca ekzekutive. “Pra, vetë Marrëveshja e Brukselit përcakton se Asociacioni duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës. Mirëpo, kjo Qeveri nuk u mor me këtë çështje dhe as me dialogun e Brukselit edhe pse ka pasur mandatin nga Kuvendi si e autorizuar për dialogun e Brukselit”, ka shtuar ajo.
Qeveria, sipas Tahirit, duhet ta ndryshojë këtë qasje të gabuar dhe në fazat e tjera të jetë sa më syçelë, në mënyrë që t’i korrigjojë devijimet e mundshme të draft-statutit. “Nëse vazhdon me këtë qëndrim të gabuar, dëmet do të jenë të paparashikueshme për shtetin e Kosovës”, ka nënvizuar Tahiri.
Ndërkaq ka vlerësuar se dërgimi i draftit të statutit të AKS-së në Bruksel pa kaluar në Qeveri fare vetëm sa e ka komplikuar situatën. “Tashmë situata është komplikuar për faktin se kjo Qeveri ka lejuar që kjo të ndodhë. Tani duhet vendosmëri dhe syçeltësi nga ana e Qeverisë që të mos dështojë në fazat e tjera të këtij procesi”, është shprehur ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës.