Disa ditë pas kërcënimeve të marra, në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj ka arritur një pako nga “Xhorxh Majkëll”, në të cilën nuk kishte ndonjë dhuratë, por dy kilogramë eksplozivë të llojit tritol.
Agjencia e Lajmeve “FaktePlus” ka mësuar nga burimet se kjo ishte bërë për të testuar sigurinë në Zyrën e Kryeministrit dhe objektin e Qeverisë. Nga kjo del se gjithçka kishte dështuar në këtë aspekt, duke kaluar të gjithë filtrat e sigurisë.
Simulimi është bërë në koordinim me Zyrën e Kryeministrit. FaktePlus e ka pyetur Zyrën e Kryeministrit për këtë çështje, por kanë thënë se nuk kanë pasur raste të tilla.
“Ne nuk kemi pasur ndonjë incident në praktikë, për të cilën ju po aludoni dhe as informacione për një gjë të tillë”, ka thënë zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi.
Ajo ka shtuar se për sigurinë e kryeministrit dhe objektit të Qeverisë kujdeset Policia e Kosovës.
Por jo vetëm kaq – edhe dy raste tjera të simulimit në ndërtesën e Qeverisë kanë rezultuar të suksesshme.
Rasti tjetër ka qenë kur një “mekanik” ka arritur të hyjë në ndërtesën e Qeverisë me dy armë.
Kurse një person në cilësinë e një “invalidi” ka arritur që brenda objektit ta fusë në pushkë të gjatë. E gjitha kjo në kuadër të simulimit.
Po ashtu mësohet se për dështimin e sigurisë në Zyrën e Kryeministrit dhe në objektin e Qeverisë janë shkarkuar katër persona, përfshirë dy policë dhe një rreshter.
Simulimi është bërë nga Njësia Antiterrorizëm në kuadër të Policisë së Kosovës, e cila bën simulime për sigurinë në institucione.
FaktePlus ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Policia e Kosovës, e cila është përgjegjëse për sigurinë e kryeministrit dhe objektit të Qeverisë, por deri më tani nuk kanë dhënë asnjë sqarim.