Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të enjten se ai angazhohet për ndarje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, duke u bërë jehonë kërkesave të Serbisë për ndarjen tokësore të Kosovës në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve.
"Unë jam në favor, dhe kjo është politika ime, për ndarjen me shqiptarët, sepse të kemi një territor që nuk dihet se kush e trajton atë dhe çfarë kujt i përket, është gjithmonë një burim i konflikteve të mundshme", tha ai, duke nënvizuar se "nuk e fsheh një synim të tillë", por, nuk dihet nëse këtë do ta pranojë populli serb apo jo dhe, nëse do të ketë sukses, kjo nuk varet vetëm nga Serbia.
"Duhen dy veta për tango", tha ai.
Kosova e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes tokësore të saj, ndërsa është përfshirë ne debatet e nxitura nga ideja e presidentit Hashim Thaçi për 'korrigjimin e kufirit" që sipas tij, nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën.