Kosova ka nevojë për Strategji të sigurisë që i përgjigjet një shteti që i merr përgjegjësitë për vete dhe që bëhet kontribuuese e sigurisë në vend dhe rajon.
Kështu u shpreh kryeministri i Kosovës i cili mori sot pjesë në takimin e parë të Grupit Punues për draftimin e Strategjisë së Sigurisë së Republikës së Kosovës, strategji kjo që llogaritet si dokumenti më i rëndësishëm për sigurinë e një vendi dhe i cili integron të gjitha dokumentet e mekanizmave që e trajtojnë këtë temë.
Kryeministri Haradinaj tha se Kosova si shtet në çdo etapë të zhvillimit të saj ka reflektuar në aspektin e sigurisë, me dokumente dhe plane vepruese, të institucioneve të sigurisë.
Më tej ai tha se që nga marrja e përgjegjësive në fushën e sigurisë Kosova ka dëshmuar përkushtimin si në rendin publik, në inteligjencë, në dogana dhe në institucione tjera.
Duke e vlerësuar si dokumentin më të rëndësishëm në fushën e sigurisë, Haradinaj tha se kjo Strategji duhet të reflektojë dhe të përfshijë të gjitha hallkat e sigurisë në të tashmen, por edhe objektivat që i ka Kosova për të ardhmen.
“Mendoj se është koha e duhur që të punojmë një Strategji të sigurisë që i përgjigjet një shteti që i merr përgjegjësitë për vete, për siguri, njëkohësisht duke përfshirë në këtë strategji jo vetëm kontributin tonë si vend dhe të institucioneve të vendit, por edhe kontributin e partnerëve, për shkak se strategjia si qëllim na bashkon me partnerët tanë”, tha kryeministri Haradinaj, dhe shtoi se qëllimi i strategjisë është që nga konsumues të sigurisë, Kosova të kthehet në kontribuuese për sigurinë e vet dhe të rajonit.
Duke folur rreth strategjisë së mëhershme, kryeministri Haradinaj tha se strategjia e vitit 2010, na shërben si njohje dhe si bazë, por tani duhet të përfshihen edhe Forcat e Armatosura të Kosovës, doktrina vetëmbrojtëse si çdo vend tjetër, në të njëjtën kohë të integrohet edhe agjenda e integrimit në mekanizmat e sigurisë, që është NATO.
Kryeministri Haradinaj kërkoi nga anëtarët e Grupit punues që të jenë sa më konkretë, pasi që kjo është strategjia më e rëndësishme për sigurinë në vend.