Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në dy seanca të ndara, të jashtëzakonshme.
Seanca e parë është thirrur për në orën 9 dhe ajo mbahet me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, në të cilët duhet të miratohet delegacioni i Qeverisë së Kosovës për dialog me Serbinë, transmeton Koha.net.
Mbledhja e dytë, po ashtu e jashtëzakonshme, e Kuvendit të Kosovës ishte thirrur për në orën dhjetë me kërkesë të opozitës në lidhje me dialogun për kufijtë.
Në seancën e sotshme të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, në orën 9, pikë e vetme e rendit të ditës është Shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Në këtë ekip, kryeministri Haradinaj ka përfshirë Fatmir Limaj, kryesues, Enver Hoxhaj, Behgjet Pacolli, Mahir Yagcilar, Avni Arifi dhe Dardan Gashi.
Mbledhja tjetër, me kërkesë të opozitës, i kushtohet bisedimeve që po i zhvillon presidenti i vendit, Hashim Thaçi, me homologun serb, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me herë korrigjimin e kufijve, herë për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës e Serbisë.
Në që të dy këto seanca pritet debat i ashpër.