Parlamenti Europian ka votuar pro liberalizimit të vizave për Kosovën.
420 deputetë të PE kanë votuar për liberalizimin e vizave ndërsa 186 ishin kundër. 22 kanë abstenuar.
Tanja Fajon, raportuesja për Kosovën, është shprehur e lumtur për këtë votim.
“Qytetarët e Kosovës një hap më afër lëvizjes pa viza në Evropë. E lumtur që kam marrë dritën e gjelbër nga Parlamenti Evropian me një shumicë për negociatat me Këshillin Evropian për liberalizim vizash për Kosovën. Përballja vazhdon me qeveritë e Bashkimit Evropian, dhe nuk do të ndalem deri ta arrijmë”, ka shkruar Fajon në Twitter.
Ky vendim u përshëndet edhe nga kryeministri Ramush Hardinaj dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli.
Haradinaj: Urime qytetarë të Kosovës! Së shpejti do të lëvizni lirshëm në Europë. Falënderues ndaj të gjithë deputetëve dhe grupeve parlamentare, të të gjitha partive e shteteve anëtare, që në Parlamentin Europian e mbështetën të drejtën tonë për lëvizje të lirë.
Pacolli: Urime Kosovë, urime e dashura rini e Kosovës. Kaluam edhe sfidën e radhës! Parlamenti Evropian sapo votoi PRO liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës."