Ish-sekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një nga mbështetëset më të mëdha të shtetit të Kosovës, Madeleine Albright, ka folur në një intervistë për një medium spanjoll ‘Elmundo.es’ pas publikimi të librit të saj në të cilin flet për fashizmin si mënyrë për të arritur pushtetin dhe ndarjen e shoqërive.
Media spanjolle në hyrje të shkrimit ka folur për ndërlidhjen që Albright ka me shtetin e Kosovës. “Promotore të bombardimeve të NATO-së”, kështu është cilësuar Madeleine Albright nga ‘Elmundo’,.
Në këtë intervistë ajo ka folur edhe rastin e Katalunisë, duke thënë se ajo çfarë po ndodh ndërmjet Spanjës dhe Katalunisë, është diçka që është parë me shpërbërjen Jugosllavisë. Albright teksa ka folur edhe për ndarjen e shteteve në vija etnike, ka thënë se një gjë e tillë është një gabim shumë i madh.
“Ideja për krijimin e shteteve me popullsi homogjene është gabim. Është një gabim dhe unë insistoj në këtë”, ka thënë Albright transmeton Gazeta Express.
Sipas saj shoqëritë multietnike janë më të qëndrueshme. Këto deklarata të Albright vijnë në një kohë kur në Kosovë po diskutohet ideja për lëvizje të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe bashkimit të Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës.
Një nismë e tillë është cilësuar si tentim për të krijuar shtetet etnikisht të pastra, dhe është kundërshtuar ashpër nga perëndimi dhe shumë ish-diplomatë të Bashkimit Evropian.