Tiranë, 5 tetor - Në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, po mbahet Ministeriali Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor për Çështjet e Brendshme, ku po marrin pjesë ministra nga Ballkani Perëndimor dhe të BE-së, me prani edhe të komisionarit Avramopoulos, me pjesëmarrje të shumë personaliteteve të agjencive të ndryshme ligjzbatuese evropiane.
Në këtë konferencë po merr pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, z. Bejtush Gashi, i cili fillimisht falënderoi Presidencën Austriake për organizimin e Forumit Ministror të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian, duke shprehur mirënjohjen edhe për vendin pritës të kësaj ngjarjeje të rëndësishme, për Qeverinë Shqiptare dhe për Ministrinë e Brendshme.
Në këtë takim ministri Gashi trajtoji perspektivën e Republikës së Kosovës sa i përket menaxhimit të migrimit dhe paraqiti angazhimet për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm.
Minisri Gashi vuri në dukje se Republika e Kosovës ka konsoliduar sistemin për menaxhimin e migrimit përmes hartimit dhe zbatimit të kornizës legjislative dhe strategjike në këtë fushë. Ai tha se rrugëtimi në procesin e integrimit evropian ka ndikuar që të harmonizojmë legjislacionin dhe politikat tona me ato të Bashkimit Evropian dhe theksoi se Kosova ka Ligj të veçantë për ripranim, Ligjin për të huajt dhe Ligjin për azil, të cilat janë rishikuar së fundi dhe kanë hyrë në fuqi, duke rikonfirmuar kështu obligimet e Kosovës në menaxhimin e migrimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, në përputhje të plotë me direktivat e BE-së.
“Kosova ende nuk është përfshirë nga lëvizjet e mëdha migratore për arsye të ndryshme (pozita gjeografike, etj), mirëpo bazuar në lëvizjet migratore në vendet e rajonit si dhe indikacioneve nga organizatat ndërkombëtare, që merren me migrim, ka arsye për të besuar se fluksi i emigrantëve, refugjatëve dhe azilkërkuesve nuk do të ndalet në një të ardhme të afërt dhe rrugëtimi do të jetë i vazhdueshëm dhe do të ketë ndryshime,” - theksoi ministri Gashi.
Duke folur për fenomenin e terrorizmit, ministri Gashi theksoi se si vendet e tjera të rajonit dhe ato përtej tij, edhe Republika e Kosovës vazhdon të përballen me sfidën e përpjekjeve për përhapjen dhe rritjen e ndikimit të ideologjive të huaja ekstremiste, të cilat mbështeten në urrejtjen ndërfetare, etnike ose kauza të tjera të cilat kanë synim rrënimin e sistemit demokratik dhe të synimeve properëndimore euroatlantike të Republikës së Kosovës.
“Unë do të doja ta paraqes në këtë takim në Tiranë si një shembull shumë të mirë, përkushtimin e jashtëzakonshëm dhe të suksesshëm të institucioneve të vendit tim, Kosovës, në trajtimin e dukurinë së luftëtarëve të huaj pjesëmarrës në luftërat dhe konfliktet e ndryshme të armatosura. Masat e ndërmarra ligjore, planizuese, ligj zbatuese, hetimore, parandaluese, këshilluese, psikologjike, etj. dhe hartimi i dokumenteve parashikuese strategjike e kanë rritur shumë vlerësimin, për Kosovën duke e cilësuar madje atë si një udhëheqëse rajonale në këtë fushë”, theksoi ministri Gashi.
Me këtë rast ministri Gashi theksoi se mbështetja mbi këtë infrastrukturë ligjore, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e Kosovës, ka qenë iniciuese e shumë proceseve hetimore që kanë përfshirë njerëz të dyshuar për veprimtari organizuese dhe mbështetëse për rekrutimin e luftëtarëve për shtetin islamik, ose grupeve të tjera kriminale.
Ai tha se pas masave të ndërmarra statistikat e fundit tregojnë qartë për një zvogëlim shumë të dukshëm të kësaj dukurie. Në vitet 2017-2018, numri i njerëzve nga Kosova që kanë shkuar në zonat e konfliktit ka qenë zero, duke shkuar në rënie prej shifrës rreth njëqind, që ka qenë në vitet 2013-2014.
Në fund të fjalimit të tij ministri Gashi theksoi se për të rritur edhe më tutje bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, Republika e Kosovës duhet të jetë anëtare e INTERPOLI-it.
Në kuadër të këtij Ministeriali të gjatë ministrat e Punëve të Brendshme të Ballkanit Perëndimor së bashku më komisionarin Avramopoulos, nënshkruan: “Planin e përbashkët kundër terrorizimit për Ballkanin Perëndimorë”.