Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë takimit me kryesuesin e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister, ka thënë se pret që Këshilli i BE-së të japë vendim pozitiv për liberalizimin e vizave.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se me McAllister ka biseduar edhe për aktualitetin politik. Ai po ashtu ka thënë se ka kërkuar nga diplomati gjerman përkrahjen në PE për “afirmimin ndërkombëtar të Kosovës”.
Më herët gjatë këtij viti, Komisioni Evropian ka dhënë rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën. Edhe Parlamenti Evropian ka votuar në favor të liberalizimit. Ndërkaq, tash sfida kryesore për Kosovën në këtë proces mbetet Këshilli i Ministrave, ku ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian duhet të japin vlerësimet e tyre.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilit nuk gëzojnë lëvizjen e lirë pa viza në zonën Schengen.