Maqedoni, Jankulloskës i ndalohet të largohet nga Shkupi

Hënë, 08 October 2018 17:23

Prokurimi i Mercedesit luksoz për ish shefin e saj Nikolla Gruevski, Gordana Jankulloskës i kushtoi gjashtë vite burg.

Gjykatësja Dobrila Kacarska e lexoi aktgjykimin për ish ministres së Brendshme për rastin “Tank” ku ish ndihmësministri i brendshëm, Gjoko Popovski dhe ish kryeministri Nikolla Gruevski tashmë janë dënuar.

Jankullovska nuk e dëgjoi vendimin personalisht, për shkak se ishte në tjetër gjykim, për përgjimin e paligjshëm dhjetëvjeçar, njofton Alsat.

Është e pakontestueshme se ai që tashmë ka marrë vendim për kryerjen e veprës penale nuk mund të jetë i nxitur, mirëpo në rastin konkret nuk bëhet fjalë për atë se tashmë i dënuari Gjoko Popovski para se të jetë i nxitur nga e akuzuara Gordana Jankullovska ka marrë vendim për kryerjen e veprës penale.

Kjo për arsye se tashmë i dënuari Nikolla Gruevski i tregon të akuzuarës Gordana Jankullovska se çfarë automjeti duhet të blihet për të. E akuzuara Jankullovska më pas e nxit tashmë të dënuarin Popovski që të kryejë veprën penale që do të thotë se ekziston nxitje e paramenduar – u shpreh gjykatësja Dobrilla Kacarska.

Prokuroria Speciale për shkak të frikës nga arratisja dhe mundësinë që Jankullovska të fshihet, kërkoi masa të përforcuara, por jo paraburgim.

Duke marrë parasysh rrethanat momentale familjare e të akuzuarës Jankullovska, të cilat janë të njohura mirë për të gjithë ne dhe duke marrë parasysh se ka një fëmijë që nuk ka asnjë faj për këtë situatë të krijuar që është imponuar nga prindi, në vend të masës paraburgim, ju propozoj gjykatë e nderuar që të shqiptoni masë plotësuese të kujdesit, e kjo është ndalesë për braktisjen e vendbanimit – theksoi Fatime Fetai nga PSP.

Gjykata e pranoi këtë propozim të PSP-së dhe Jankullovska nuk duhet të largohet nga Shkupi deri në aktgjykimin e plotfuqishëm.

Jankulloska do të ankohet në Gjykatën e Apelit.

Login to post comments