Një parti gjermane është kundër hyrjes së vendeve të Ballkanit në BE

E mërkurë, 10 October 2018 18:31

Pak ditë para zgjedhjeve të rëndësishme në Bavari, partia e ekstremit të djathtë gjerman, “Alternativa për Gjermaninë”, i thotë jo anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Në një konferencë shtypi në Berlin, zëdhënësi i kësaj partie për çështje të BE-së, Harald Weyel, dhe raportuesi i Ballkanit Perëndimor, Siegbert Droese, dhanë si shkakun kryesor për mospranimin e Ballkanit Perëndimor në BE lidhjen e korrupsionit në nivelet më të larta të qeverisë me krimin e organizuar.

“Ky model është shndërruar në modelin e qeverisjes së tyre. Nuk jemi dakord me automatizmin, që qysh në vitin 2025 të hyjnë në BE vendet e para, si për shembull, Mali i Zi ose Serbia. Kemi nevojë për më shumë kohë dhe këto vende duhet të ofrojnë diçka vet, para se të hyjmë në negociata konkrete me to”, tha ai.

Një shqetësim tjetër i lidhur me këtë refuzim ndaj Ballkanit Perëndimor për partinë më të djathtë populiste të Gjermanisë është rritja e peshës së vendeve të Evropës Lindore dhe Jugore me anëtarësimin e tyre në BE.
Për këtë arsye, “AfD” propozon që këto vende të krijojnë një union të vetin, sipas modelit të vendeve Beneluks.

“Përtej opsionit të një BE-je të madhe, ekziston opsioni i një unioni të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që do të sillte harmonizimin e ekonomisë, heqjen e doganave, zbutjen e politikës së jashtme etj., sipas modelit të shteteve të Beneluksit. Ky plan B ose C mund të ishte fare mirë plani A”, tha zëdhënësi i “AfD”-së për çështje të BE-së, Harald Weyel, transmeton DW.

Sipas dy politikanëve, vendet e Ballkanit Perëndimor janë jo vetëm gjeografikisht, por edhe kulturalisht në kufijtë e BE-së. Ata veçuan sidomos Shqipërinë, duke sjellë si shembull ndikimin e Turqisë në Shqipëri, manifestuar me xhaminë e madhe në Tiranë, të financuar nga qeveria e Erdoganit.

AfD ka ndërmend që për zgjerimin e BE-së me këto vende të pyetet jo vetëm, siç parashikon ligji aktual, Bundestagu, por i gjithë populli votues me anë të një referendumi.

“Alternativa për Gjermaninë” është e vetmja parti e Bundestagut gjerman që është kundër anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE. Ajo zë vetëm 12,6 përqind të vendeve në Bundestag, por, për shkak të qeverisë së koalicionit të madh mes CDU/CSU dhe SPD, konsiderohet si partia kryesore e opozitës. E krijuar në vitin 2013, AfD është e përfaqësuar në thuajse të gjitha parlamentet e landeve, përveçse në Hessen dhe Bavari.

Sa i përket Bavarisë, kjo gjendje pritet të ndryshojë në favor të AfD-së të dielën e ardhshme (14.10), kur do të zhvillohen zgjedhjet për parlamentin e landit. Sipas anketimeve paraprake, AfD-ja pritet të fitojë 10 deri 14 për qind të votave.

Login to post comments