Prokuroria Speciale në Shkup, hetime të reja për Gruevskin

E Enjte, 11 October 2018 10:48

Prokuroria Speciale e Maqedonisë njoftoi për nisjen e hetimeve për raste të reja, që kanë të bëjnë me shpërdorimin e detyrës zyrtare.

Në mesin e të akuzuarve janë ish-kryeministri, Nikola Gruevski, ish-ministri i Financave, Zoran Stavreski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski, ish-ministri i Shëndetësisë, Bujar Osmani, si dhe shumë zyrtarë të tjerë të lartë dhe drejtues e anëtarë të komisioneve të tenderit.

Sipas Prokurorisë Speciale Publike, të akuzuarit dyshohet se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit me rreth 80 milionë euro. Ish-kryeministri dhe ish-ministrat akuzohen në 6 raste të veçanta, të koduara me emrat “Dhurata”, “Propaganda”, “Dizajni”, “Harmonia”, “Stacionet bazë” dhe “Pacienti”. Hetimet përfshijnë periudhën nga viti 2010.

Nga personat e akuzuar, ish-ministri i Shëndetësisë, Bujar Osmani, në qeverinë e tanishme është zëvendëskryeministër për Çështjet Europiane dhe zyrtari i parë i partisë shqiptare Bashkimi Dekmokratik për Integrim, që akuzohet nga Prokuroria Speciale për shpërdorime kur kjo parti ishte në pushtet me VMRO-DPMNE-në, tani parti në opozitë.

Ish-kryeministri Nikola Gruevski është duke u gjykuar edhe për vepra të tjera, ndërsa për një prej tyre është dënuar me dy vite burgim. Akuzat e Prokurorisë Speciale kanë për bazë bisedat e përgjuara telefonike, të publikuara në shkurt të vitit 2015.

Login to post comments