Komisionari Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn shpreson që pasi Kosova e Serbia të arrijnë marrëveshje, pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën, përfshirë këtu edhe Spanjën, do ta rivlerësojnë qëndrimin e tyre.
Komisionari Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, ka folur për të përditshmen spanjolle “El Pais”.Ai në Madrid mori pjesë në një takim të ministrave të Jashtëm të Unionit të Mesdheut, ndërsa prej atje foli edhe për çështjen e Kosovës. Komisionari shpreson që pasi Kosova e Serbia të arrijnë marrëveshje, pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën, përfshirë këtu edhe Spanjën, do ta rivlerësojnë qëndrimin e tyre.
“Qëndrimi i gjithë Bashkimit Evropian kur flasim për ballkanikët është se ne ose dhurojmë stabilitet ose marrim destabilitet”, ka thënë Hahn, kur është pyetur nëse Spanja po shton pengesa në stabilitetin e Ballkanit duke qëndruar kundër njohjes së Kosovës.
Përvojat na tregojnë se paqja dhe stabiliteti afatgjatë në Ballkan arrihet vetëm nëse shohim kah perspektiva evropiane. Ne kemi publikuar strategjinë për Ballkanin në muajin shkurt Aty kemi treguar se vetëm vendet që janë në gjendje të zgjidhin problemet mes vete do të pranohen si anëtarë të rinj të BE-së”, ka shtuar Hahn transmeton express.
Hahn e quan kyçe për rajonin e Ballkanit një marrëveshje që duhet të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas Hahn, pasi të arrihet kjo marrëveshje, pesë vendet e BE-së që nuk e njohin sovranitetin e Kosovës, do të rishikojnë qëndrimin e tyre.
“Unë shpresoj që pas marrëveshjes do të jemi në atë situatë kur 5 vendet që nuk e kanë njohur sovranitetin e Kosovës, do ta studiojnë këtë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, e pastaj të marrin vendim”, ka thënë komisionari Hahn për El Pais.