Komiteti për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET), në mbledhjen e mbajtur me 9 tetor të këtij viti, ka miratuar me shumicë votash Raportin e për Republikën e Kosovës.
Pas votimit të këtij raporti, ka folur raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovë, Igor Sholtes, i cili ka përmendur shansin e madh që ka Kosova për të marrë liberalizimin e vizave.
Megjithatë ai ka përmendur edhe disa çështje për të cilat janë dhënë vërejtje në këtë raport, ku kryesisht kërkohet përmbushja e marrëveshjeve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe përparimi në fushën e arsimit, ambientit dhe çështjeve të cilat lidhen me pakicat.
Në këtë raport gjithashtu është përmendur edhe ideja për korrigjim të kufijve ndërmjet Republikës së Serbisë, gjë për të cilën presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në një reagim të publikuar në profilin e tij në ‘facebook’ ka thënë se ky Komitet e konsideron si “plotësisht të mundshme idenë për korrigjimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Gazeta Express ka kontaktuar me zyrtaren e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), Katarina Kosak, dhe ka siguruar raportin e plotë dhe final të votuar nga Parlamenti Evropian, dhe askund në këtë raport nuk konstatohet një gjë e tillë, përkundrazi thuhet se të dy shtetet duhet të ruajnë multietnicitetin dhe se nuk duhet të kenë synim krijimin e shteteve etnikisht të pastra.
“Për debatin e vazhdueshëm dhe deklaratat publike në lidhje me ndryshimet e mundshme të kufirit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, duke përfshirë shkëmbimin e territoreve: Nënvizohet natyra multietnike e Kosovës dhe Serbisë, dhe konstatohet se shtetet etnikisht homogjene nuk duhet të jenë objektiv në këtë rajon”, thuhet në raportin final të Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), shkruan Gazeta Express.
Ndër të tjera thuhet se ky Komitet, mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja, për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dhe konstaton se mbështet vetëm ato marrëveshje të cilat ndikojnë në stabilitetin e përgjithshëm të rajonit dhe që janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.